Anulohet mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri / Photo: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar se është anuluar mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë.

Rama ka thënë se duke marrë parasysh rrethanat e tensionuara kishte propozuar një takim më të reduktuar, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.

“E kam informuar Kurtin se duke marrë parasysh kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlanatike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuara. Dhe pasi kam folur me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Kurtit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e Jashtëm dhe Mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, për ta afruar Kosovën me bashkësinë euroatlantike, ku marrëdhëniet e tyre janë në një pikë të paimagjinueshme, ku këta të fundit po konsiderojnë sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë", ka thënë Rama.

Mirëpo, siç shton Rama: "Nuk kemi pasur dakordim me Kurtin për ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, e të diskutojmë veçmas për këtë. Por, kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kurti. Unë shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet, në kushtet kur jemi në prag të planit për sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë”.

AA