Sipas të dhënave të fundit jozyrtare në zgjedhjet e 5-ta në dy vitet e fundit në Bullgari, të paktën 5 parti politike kanë siguruar mandate në Parlamentin prej 240 anëtarësh.
Shpërndarja e votave tregon se asnjë forcë politike nuk do të mund të formojë vetë qeverinë. Partitë do të detyrohen të zhvillojnë negociata për koalicion.
Sipas sondazhit të kompanisë Gallup International, koalicioni i krahut të djathtë, pro-Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Vazhdojmë Ndryshimin-Partia Demokratike Bullgare (PP-DB) mori 25,3 për qind të votave dhe arriti të fitojë më shumë deputetë.
Partia "Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë" (GERB), e udhëhequr nga ish-kryeministri Bojko Borisov, u rendit e dyta me 24,7 për qind të votave të fituara.
Partia e mbështetur nga turqit dhe myslimanët në vend, Lëvizja e të Drejtave dhe Lirive (HÖH) me 13,1 për qind të votave pritet të jetë partia e tretë ose e katërt në Parlament.
Partia "Vazrazhdane", një parti populiste pro-ruse që u përjashtua nga të gjitha qarqet politike në Bullgari, mori 14,2 për qind të votave, duke arritur të bëhet pjesë e Parlamentit.
Komisioni Qendror Zgjedhor (ZIK) njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 40 për qind, ndërsa rezultatet zyrtare do t'i bëjë të ditur më 7 prill.
Pritet që votat e ardhura nga jashtë vendit të ndikojnë ndjeshëm në rezultatet.
Në 2 vitet e fundit vendi është qeverisur nga qeveri të përkohshme të emëruara nga presidenti Rumen Radev, për shkak të dështimit të 4 parlamenteve jetëshkurtër për të formuar qeverinë.
Radev deklaroi se sa më shpejt që është e mundur do ta shpallë datën e hapjes së Parlamentit të ri.