Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në dy ditët e fundit në takim 6 nga shtatë kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilët tashmë kanë publikuar kandidaturat e tyre.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti i falënderoi pjesëmarrësit Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri dhe Armend Aliu për kontributin e tyre të deritanishëm dhe u dëshiroi sukses në zgjedhjet e radhës.
"U diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku, siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t'i arrijnë tre deputetë", shkruan në njoftim.
Bëhet e ditur se ishte konstatim i përbashkët i palëve që një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve. Në legjislativin e fundit, Shaip Kamberi nga "Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës" ishte deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë Vlladimir Orliq njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në disa qytete dhe komuna. Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor 2023, derisa me shpalljen e zgjedhjeve të reja, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.