Dy aleancat më të mëdha në Bullgari ranë dakord të hënën për formimin e qeverisë së koalicionit në një përpjekje për t'i dhënë fund bllokadës politike në vend, sipas mediave lokale.
Koalicioni GERB-UDF dhe blloku "Vazhdojmë Ndryshimet - Bullgaria Demokratike" (PP-DB) ranë dakord për një qeveri me sistem rrotacioni mes kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve BTA.
Sipas marrëveshjes, Nikolai Denkov i PP-DB dhe Mariya Gabriel e GERB-UDF do të jenë kryeministre për nëntë muaj secili në qeverinë e koalicionit rrotativ. Ish-ministri i Arsimit në Bullgari, Denkov, pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë dhe do të jetë kryeministër për nëntë muajt e parë.
Ndërkohë, Gabriel, ish-Komisari Evropian për Inovacione, Kërkime, Kulturë, Arsim dhe Rini, do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Përpjekja e parë për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 2 prillit në Bullgari dështoi pasi Gabriel ia ktheu mandatin presidentit Rumen Radev.
Javën e kaluar, aleanca "Vazhdojmë Ndryshimet - Bullgaria Demokratike" (PP-DB), Partia Socialiste Bullgare (BSP), Partia "Vazrazhdane" (Rilindja) dhe partia "Ka një Popull të Tillë" njoftuan se nuk do të mbështesin qeverinë e GERB-UDF.
Vetëm Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë, e mbështetur kryesisht nga pakica turke e vendit, shprehu gatishmërinë për të mbështetur draft listën e kabinetit të Gabrielit.
Në zgjedhjet e 2 prillit, GERB-UDF doli e para, duke fituar 69 vende në Parlamentin me 240 vende, ndërsa blloku i udhëhequr nga partia "Vazhdojmë Ndryshimet" fitoi 64 vende.
Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e pakicës turke përfundoi e katërta me 13,1 për qind në zgjedhjet e pesta të vendit në dy vjet.