Qeveria trepalëshe e pakicës e kryeministrit bullgar Kiril Petkov nuk e kaloi votëbesimin e mbrëmshëm në Kuvendin e Bullgarisë.
Në votëbesimin e mbajtur me kërkesë të opozitës, e cila ka shumicën e votave në parlament, morën pjesë 239 nga 240 deputetë.
123 deputetë votuan kundër qeverisë, kurse 116 deputetë mbështetën qeverinë.
Një nga partnerët e qeverisë së koalicionit, Partia populiste “Ka një popull të këtillë” (ITN) u largua nga koalicioni më 8 qershor, duke përdorur si justifikim politikën e Bullgarisë në lidhje me Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Kuvendit, Nikolla Minçev, më 16 qershor u largua nga posti i tij nën presionin e opozitës.
Opozita, e cila mbajti qëndrim të përbashkët kundër qeverisë, paraditen e djeshme sabotoi njëzëri hapjen e seancës plenare.
Gjatë votimit, përkrahësit e Kiril Petkovit demonstruan para parlamentit, ndërsa kundërshtarët e tij demonstruan në pjesën e pasme.
Qeveria e koalicionit përfshinte partinë “Vazhdojmë Ndryshimin” (PP), Partinë Socialiste Bullgare (BSP) dhe Partinë Demokratike Bullgare (DB).
Procedura kushtetuese
Sipas kushtetutës, presidenti Rumen Radev do t’i japë PP-së, e cila ka grupin më të madh në parlament, detyrën për të riformuar qeverinë.
Nëse PP dështon në këtë detyrë, partia “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB), e udhëhequr nga ish-kryeministri Bojko Borisov, do të marrë përsipër formimin e kabinetit.
Nëse dy partitë nuk janë në gjendje të formojnë kabinetin, presidenti do të caktojë një forcë të tretë politike nga parlamenti për të formuar qeverinë, sipas zgjedhjes së tij, përpara se të caktojë një datë për zgjedhjet e parakohshme.
Nëse vendi hyn në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme, presidenti Rumen Radev do të shpërndajë parlamentin dhe do të formojë një qeveri të përkohshme teknokratësh për të qeverisur.
Në vitin 2021, Bullgaria shkoi tri herë në zgjedhje parlamentare.
Qeveria e Kiril Petkovit mori detyrën më 13 dhjetor 2021 duke siguruar votëbesimin.