Zv/kryeministrja Balluku diskuton Korridorin 8 më zv/presidenten bullgare / Foto: ATA

Zv/kryeministrja e Shqipërisë Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, priti sot në takim zv/presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova.

Balluku bëri të ditur se në takimin e përbashkët u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh dhe projektet strategjike.

Zv/kryeministrja veçoi të një rëndësie të veçantë ekonomike dhe politike diskutimin për Korridorin VIII.

“Shkëmbyem mendime mbi marrëdhëniet strategjike dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona. Diskutuam gjithashtu mbi projekte strategjike, kryesisht në infrastrukturë, me interes dypalësh dhe rajonal, veçanërisht ai i Korridorit VIII, si një aks ndërlidhës i një rëndësie të veçantë ekonomike dhe politike”, tha Balluku.

Korridori VIII është një nga dhjetë “korridoret transevropiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore.

Sipas projektit, Korridori VIII nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi. Projektet për këtë vepër parashikojnë si ristrukturimin e infrastrukturës ekzistuese, ashtu edhe ndërtime të reja, që do të financohen si nga sektori publik ashtu edhe ai privat.

ATA