Pak pas mesnatës, në një seancë maratonike Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi, e udhëhequr nga shqiptari, Dritan Abazoviq. Për rrëzimin e tij kanë votuar 50 deputetë, dhe vetëm 1 kundër. Të tjerët nuk kanë marrë pjesë në votim.
Këtë mocion fillimisht e inicoi partia e ish kryeministrit të mëparshëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë u kërkua nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak, siç thonë ata, të ngecjes së Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.
Vendimit për rrëzimin e Qeverisë në Kuvend i parapriu debati i stërzgjatur mes deputetëve të pozitës dhe atyre që ishin kundër kësaj qeverie.
Kujtojmë deklaratën e Abazoviq në seancën e fundit të Kuvendit ku ka thënë se gjatë 100 ditëve të punës së tij, janë bërë shumë punë për të cilat koha do të tregojë.
Ndërsa i pyetur gjatë ditës së djeshme nëse do të del si kryeministër nga seanca ai u shpreh kështu: “Unë do të dal si fitimtar, pozitat nuk kanë rëndësi por është e rëndësishme vizioni dhe puna e ndershme për vendin”, ka thënë ai.
Mandati i Abazoviqit nuk zgjati as 4muaj të plota nga dita e emërimit të tij në postin e kryeministrit më 28 prill të po këtij viti.