Gjukanoviq: Mali i Zi në krizë të thellë institucionale dhe politike. / Foto: AA Arkiv

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka deklaruar se Serbia nuk mund ta përballojë faktin se vendi i tij është një hap para drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjukanoviq i bëri këto komente në qytetin Bijelo Polje në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 2 prill.

"Serbia nuk mund ta përballojë situatën që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së para Serbisë. Gjithashtu, ajo nuk mund ta përballojë që Mali i Zi të jetë një hap para për sa u përket pagave më të larta. Gjatë historisë nuk ka qenë kështu, por kështu ka qenë në 15-20 vitet e fundit", tha Gjukanoviq.

Mali i Zi do të mbajë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pasi më 19 mars asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave.

Presidenti aktual, Gjukanoviq, lider i Partisë Demokratike e Socialistëve, si dhe ekonomisti Jakov Millatoviq nga lëvizja e sapoformuar Evropa Tani do të përballen me njëri-tjetrin në raundin e dytë më 2 prill.

Pas zgjedhjeve presidenciale, më 11 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

AA