Më 11 qershor zgjedhje të parakohëshme parlamentare në Mal të Zi.      /Foto: AA

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 11 qershor.

Gjukanoviq në konferencën për shtyp theksoi se të gjithë në Mal të Zi janë të vetëdijshëm për krizën e thellë politike dhe institucionale, e cila u shkaktua në radhë të parë nga papërgjegjshmëria dhe aventurizmi ligjor i shumicës aktuale parlamentare, e gatshme për të arritur qëllimet e saj politike me veprime antikushtetuese.

“Si president i të gjithë qytetarëve, me këmbëngulje i jam përmbajtur Kushtetutës, duke u kujdesur me shumë kujdes që duke ushtruar autoritetin tim të mos kontribuoj në krizën e lartpërmendur politike dhe institucionale”, tha Gjukanoviq.

Ai tha se më 20 gusht të vitit të kaluar Qeverisë së 43-të malazeze i është votuar mosbesimi me votat e 50 deputetëve.

“Nga ajo datë filloi të rrjedhë një periudhë prej 30 ditësh, gjatë së cilës jam konsultuar me përfaqësues të partive politike, duke tentuar që më së voni deri më 19 shtator 2022 t'i propozojë Kuvendit një kandidat. Siç dihet, sipas qëndrimit tim të shpjeguar më parë, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme për këtë”, thekson Gjukanoviq.

Siç theksoi ai më tutje, liderët e partive politike, gjegjësisht të koalicioneve, të cilët pohuan se kishin unitetin e nevojshëm parlamentar për zgjedhjen e mandatit për përbërjen e Qeverisë, nuk iu përgjigjën thirrjes për konsultime të presidentit, e as dorëzojnë me kohë nënshkrimet e shpallura të 41 deputetëve, të cilët jo verbalisht dhe jo me kusht, por pa rezerva dhe haptas do ta mbështesnin kandidatin konkret.

“Prandaj, jam i bindur edhe sot, ashtu si atëherë, se ishte në interesin më të mirë të qytetarëve të Malit të Zi shkurtimi i mandatit të përbërjes aktuale parlamentare, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në bazë të rezultateve të së cilës do të ishte formuar shumë kohë më parë një mbledhje e re e Kuvendit dhe do të zgjidhej një Qeveri e re legjitime, e cila do të punonte me kapacitet të plotë dhe do të zgjidhte efektivisht problemet e akumuluara në vend”, ka thënë Gjukanoviq.

Në vend të kësaj, sipas presidentit malazez shumica e paqëndrueshme parlamentare iu drejtua akrobacive dhe inxhinierisë ligjore të paprecedentë, veprimeve antikushtetuese dhe antidemokratike të panjohura për shoqëritë e organizuara evropiane.

TRT Balkan / agjencitë