O'Brien në Podgoricë: Mali i Zi është një partner i fortë i NATO-s / Foto: AA

Mali i Zi me qeverinë aktuale ka një shans për të hyrë në një integrim më të thellë evropian dhe transatlantik, e Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) mbështesin synimin që Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian (BE), tha Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, James O'Brien, i cili sot ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.

O'Brien u takua me kryeministrin malazez Millojko Spajiq në Podgoricë, ku u bisedua për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin e Malit të Zi.

Diplomati amerikan vuri në dukje se Mali i Zi është një partner i fortë i NATO-s dhe se ai është krenar për këtë.

"Sot në mëngjes u takova me prokurorin suprem dhe special të shtetit. Në takime u binda për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Ne mbështesim rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për investime në Mal të Zi, por Mali i Zi hap derën në një treg më të gjerë", tha O'Brien.

Ai shtoi se me këtë Qeveri ka mundësi për të shkuar drejt integrimeve më të thella evropiane dhe transatlantike.

"Ne jemi të kënaqur që mund të bashkëpunojmë me Malin e Zi dhe jemi të kënaqur që Mali i Zi përmbush detyrimin për të ndarë dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen", tha O'Brien.

Kur bëhet fjalë për BE-në, shtoi ai, është duke u përgatitur një paketë për Malin e Zi, e cila duhet të reduktojë kostot financiare dhe të përshpejtojë transportin.

"Ne shpresojmë se do ta bëjë jetën më të lehtë për të gjithë. Qëllimi i dialogut amerikano-malazez është që Mali i Zi të hapë dyert e tij dhe ky është imazhi që ne duam t'u përcjellim njerëzve nga komuniteti i biznesit", tha O'Brien.

“Mali i Zi, Singapori i Evropës”

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq ka vlerësuar se vizita e Ndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike tregon se një nga qëllimet e Qeverisë po realizohet – që “Mali i Zi të jetë Singapori i Evropës”.

"Dhe ai fokus në ekonomi ishte i pranishëm në takimin e sotëm. Mali i Zi pa një ekonomi prej 25 trilionë eurosh, si ajo amerikane, thjesht nuk mund të ecë përpara dhe nuk mund të arrijë qëllimet ambicioze që i kemi vënë vetes. Ne i vlerësojmë shumë miqtë tanë amerikanë të cilët janë realisht ishin shumë konstruktivë sa i përket dialogut ekonomik malazezo-amerikan, ky është vetëm fillimi”, tha Spajiq në konferencën për shtyp.

Kreu i qeverisë malazeze ka theksuar se pret rezultate të mëdha nga dialogu me kompanitë amerikane dhe se ekonomia amerikane do të jetë shumë më e interesuar për tregun malazez. Ai shtoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i propozuar nga Bashkimi Evropian është shumë i rëndësishëm për Malin e Zi, i cili e kthen tregun e vogël malazez prej gjysmë milioni në një treg prej gjysmë miliardësh dhe këtë investitorët në ShBA-së e dinë shumë mirë.

Spajiq përkujtoi se Mali i Zi ka përgatitur një plan prej rreth 90 reformash, të cilat do ta afrojnë Malin e Zi me tregun e përbashkët të BE-së, i cili monitorohet nga afër në Uashington, si dhe rrugën evropiane të Malit të Zi.

"Unë parashtrova edhe planet për këtë vit. Ne duam të kemi një tjetër konferencë ndërqeveritare në Bruksel, gjatë presidencës belge, kur duhet të hapim mundësinë për të mbyllur kapitujt e negociatave këtë vit. Nëse gjithçka ndodh siç është planifikuar, ne do të jemi rekorderët për mbylljen e kapitujve”, tha Spajiq.

AA