Kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, është presidenti i ri i Malit të Zi.
Ai fitoi zgjedhjet presidenciale të raundit të dytë kundër kandidatit Millo Gjukanoviq me 58,9 për qind të votave.
Millatoviq në fjalimin e tij të fitores tha se Mali i Zi sonte bëri një hap vendimtar përpara dhe i tha lamtumirë regjimit të vjetëruar të Millo Gjukanoviqit.
"Ne i thamë lamtumirë krimit, korrupsionit dhe lidhjes së tyre me politikën. I thamë ditë të mbarë një Mali të Zi të suksesshëm evropian," deklaroi ai.
Po kush në të vërtetë është presidenti i ri i Malit të Zi, TRT Balkan ju sjell profilin e Jakov Millatoviq.
Jeta dhe veprimtaria politike e Jakov Millatoviqit
Millatoviq ka lindur më 7 dhjetor 1986 në Podgoricë. Ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Malit të Zi. Ai ishte student i gjeneratës me mesatare dhjetë, gjë që i mundësoi të merrte bursa të ndryshme për të vazhduar shkollimin jashtë vendit.
Si studiues i Qeverisë Britanike, ai mori një diplomë master në ekonomi në Universitetin e Oksfordit.
Pas përfundimit të studimeve, Millatoviq punoi në NLB Bank në Podgoricë. Ai ishte pjesë e ekipit të menaxhimit të rrezikut. Pas kësaj, ai u punësua në Deutsche Bank në Frankfurt, ku punoi në ekipin e vlerësimit të rrezikut të kredisë në vend, me fokus në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Që nga viti 2014, Millatoviq ka qenë pjesë e ekipit të analizës ekonomike dhe politike në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Ai u mor me analizën ekonomike të rajonit të Evropës Juglindore, e më pas me analizën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai punoi në Bukuresht si analist kryesor ekonomik i BERZh-it për Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë dhe Bullgarinë.
Millatoviq u vu në fokus të publikut vendas pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Mal të Zi më 30 gusht 2020. Ai ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik deri në shkurt të vitit të kaluar, kur Qeverisë së kryesuar nga Zdravko Krivokapiq iu votua mosbesimi.
Lëvizja "Evropa tani" u themelua më 26 qershor të vitit të kaluar, kur Millatoviq u zgjodh zëvendëspresident.
Më 19 mars, Millatoviq mori pjesë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kur fitoi 28,9 për qind të votave dhe mori pjesë në raundin e dytë.
Millatoviq ka botuar disa vepra profesionale dhe është bashkautor i dy librave. Ai flet anglisht, italisht dhe spanjisht.
Statusi i tij familjar është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.