Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të garojnë 15 lista.
Nga 81 vende deputetësh aq sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje do ta provojnë edhe dy lista me nga 60, gjegjësisht 67 emra shqiptarësh.
Pra, bëhet fjalë për koalicionin Aleanca Shqiptare e përbërë nga partia Forca, Lidhja Demokratike dhe Lista për Tuz, ndërsa në bllokun tjetër garojnë Forumi Shqiptar me moton “BESA për zhvillim evropian”.
Në mesin e listave për deputetë ka edhe koalicione të etniteteve tjera, si boshnjakët, kroatët, dhe lista tjera të pavarura.
Afati për dorëzimin e listave ka skaduar më 16 maj në mesnatë dhe janë dorëzuar gjithsej 17 lista. Në ndërkohë, KSHZ-ja hodhi poshtë dy lista, grupin e qytetarëve “La casa de papel” dhe Aksionin qytetar malazez.
Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për 11 qershor e ka marrë ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, më 17 mars, dy ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe një ditë më parë ka nxjerrë edhe Dekretin për shpërbërjen e Parlamenti i Malit të Zi.
Mali i Zi pati dy raunde zgjedhjesh presidenciale në mars dhe në fillim të prillit të këtij viti, kur Jakov Millatoviq u zgjodh president i ri i Malit të Zi.