Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfertave nga Kosova, Hekuran Murati, vizituan sot Portin e Durrësit, ku nga 1 tetori ka filluar zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Ministrja Ibrahimaj njoftoi se 1.040 biznese nga Kosova përfitojnë aktualisht nga hapja e degës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit. Përfitimi përkthehet jo vetëm në shkurtimin e kohës së pritjes, por edhe uljen e kostos së zhdoganimit. Ministrja Ibrahimaj theksoi gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova po punojnë për heqjen e doganave mes tyre.
“Grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë. Bashkimi doganor është një hap më tutje në drejtim të lehtësirave, se sa pika doganore e Kosovës në Durrës”, tha ministrja e Shqipërisë.
Edhe Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfertave i Kosovës, Hekuran Murati, u shpreh i kënaqur që hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit, i cili u kursen rreth 2 milionë euro bizneseve kosovare, ndërsa koha e procedurave shkurtohet ndjeshëm.
“Zyra Doganore e Kosovës në Durrës mundëson që ekonomia e Kosovës të ketë qasje në det dhe lehtësi për qasje edhe në tregjet globale për eksportet tona, të cilat kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Marrë parasysh kohën që kursehet duke mundësuar zhdoganimin këtu, por edhe koston që përafërsisht llogaritet 2 milionë euro për bizneset që kryejnë tregti përmes këtij porti, konsiderojmë që është një arritje e jashtëzakonshme”, tha ministri i Kosovës.
Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit nisi funksionimin më 1 shtator, por zhdoganoheshin vetëm maunët dhe karburantet. Nga 1 tetori në këtë zyrë kryhen procedurat e zhdoganimit për çdo lloj malli.
Ndryshe, sipas Ministrisë së Financave të Kosovës, Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durresit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinim Republikën e Kosovës, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.
4 Tet 2022
Bizneset kosovare përfitojnë nga Zyra Doganore në Portin e Durrësit
Hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit u kursen rreth 2 milionë euro bizneseve kosovare, ndërsa koha e procedurave shkurtohet ndjeshëm.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.