Bashkimi Evropian (BE), në vitin 2021 ka eksportuar 33 milionë tonë mbeturina në shtetet të cilat nuk janë anëtare të saj. Kjo paraqet rritje prej 77 për qind për 17 vite, respektivisht kur krahasohet me vitin 2004, për kur edhe janë të publikuara të dhënat statistikore.
Sipas të dhënave të Eurostatit, edhe importi i mbeturinave në BE nga vendet të cilat janë jashtë BE-së, ka shënuar rritje prej 11 për qind në 17 vitet e kaluara. Vendet e BE-së, në vitin 2021 kanë importuar 19,7 milionë tonë mbeturina.
Türkiye destinacioni kryesor
Pjesa më e madhe e mbeturinave nga BE, në vitin 2021 janë eksportuar në Türkiye. Bëhet fjalë për 14,7 milionë tonë që është trefish më tepër në krahasim me vitin 2004. Kjo paraqet pothuajse gjysmën e mbeturınave të përgjıthshme të cılat janë eksportuar nga Bashkimi Evropian.
Vendi i dytë i cili ka importuar mbeturina nga BE është India, me 2,4 milionë tonë. Vijon Egjipti, me import prej 1,9 milionë tonë mbeturina, pastaj renditet Zvicra, me 1,7 milionë tonë dhe Mbretëria e Bashkuar, me 1,5 milionë tonë mbeturina të importuara nga BE.
Listën prej dhjetë importuesve më të mëdhenjë e plotësojnë Norvegjia me 1,4 milionë tonë, Pakistani me 1,3 milionë tonë, Indonezia me 1,1 milionë tonë, SHBA-të 0,9 milionë dhe Moroko me 0,6 milionë tonë mbeturina.
Rritje e importit në Pakistan, rënie në Kinë
Në 17 vitet e fundit në Pakistan është regjistruar rritje enorme e importit të mbeturinave. Prej 0,1 milionë tonë në vitin 2004 deri në 1,3 milionë tonë në vitin 2021. Për dallim nga Pakistani, në Kinë shënohet rënie drastike. Për dallim nga viti 2009 kur janë importuar 10,1 milionë tonë, në vitin 2021 importi ka qenë 0,4 milionë tonë.
Hekur dhe çelik gjysma e mbeturinave në BE
Mbeturinat nga hekuri dhe çeliku në Bashkimin Evropian në vitin 2021 kanë qenë 19,5 milionë tonë. Kjo është 59 për qind e mbeturinave të përgjithshme. Edhe në këtë kategori Türkiye është destinacioni kryesor, ku kanë përfunduar 13,1 milionë mbeturina nga hekuri dhe çeliku të importuara nga BE. Nga ana tjetër, BE ka importuar 5,5 milionë tonë nga hekuri dhe çeliku. Pjesën më të madhe të këtyre mbeturinave i ka importuar nga Britania e Madhe.
India, importuese më i madh i mbetjeve të letrës
Po ashtu Eurostati, ka përllogaritur se 4,4 milionë tonë të mbetjeve të letrës janë eksportuar nga Bashkimi Evropian. Pjesa më e madhe prej 1,2 milionë tonë, ose 26 për qind kanë përfunduar në Indi. Në vend të dytë është Indonezia, me 0,9 milionë tonë, dhe e treta renditet Тürkiye me 0,4 milionë tonë.
Ndërkohë, importi i mbetjeve të letrës në BE, peshon 2,4 milionë tonë. Edhe në këtë rast, ashtu siç ishte situata me hekurin dhe çelikun pjesa më e madhe e mbetjeve të letrës vijnë nga Britania e Madhe.