Fluturon çmimi i vezëve në rajon dhe në BE / Foto: AA

Një omëletë që keni ngrënë për mëngjes në fillim të vitit 2022 është dyfishuar në çmim në vitin 2023. Shtrenjtimi i vajit, energjisë elektrike, por më së shumti i vezëve në rastin konkret, ka bërë që ky ushqim i zakonshëm mëngjesi të kushtojë sa dy të tilla një vit më parë.

Një ndër prodhimet ushqimore me rritjen më të lartë gjatë vitit të inflacionit enorm kanë qenë pikërisht vezët. TRT Balkan ju sjell një pasqyrë të shtrenjtimit të vezëve në rajon dhe më gjerë, si dhe arsyet që shkaktuan këtë rritje.

Vezë për 60% më të shtrenjta në Ballkan

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, çmimi i vezëve është rritur drastikisht brenda vetëm 1 viti. Nga 45% në Serbi në mbi 80% në Shqipëri e Kosovë, mesatarja e shtrenjtimit të vezëve në rajon qëndron rreth 60%.

Disa prej qeverive të rajonit tashmë po mendojnë të ndërhyjnë në ekonominë e tregut për të ndaluar rritjen në pafundsi të vezëve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se gjatë marsit mund të sjellë vendim për ngrirjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore, në mesin e të cilëve ka menduar specifikisht edhe për vezët.

Politika e ngrirjes së çmimeve të produkteve bazë gjatë vitit 2022 është praktikuar edhe në vendet e tjera të rajonit, por vezët nuk janë përfshirë në listën e mbrojtur nga qeveritë.

Shtrenjtimi i vezëve në BE rreth 30%

Ndërkohë në Bashkimin Evropian shtrenjtimi i vezëve dallon nga shteti në shtet, duke nisur nga 18 deri në 85 për qind brenda 1 viti. Shtrenjtimet më të mëdha janë regjistruar në Çeki (85%), Hungari (80%) dhe Sllovaki (79%).

Dy vendet ballkanike, Bullgaria dhe Kroacia, janë ndër 5 vendet e para në BE me shtrenjtimet më të mëdha të vezëve, me mbi 70% dhe mbi 60% respektivisht.

Shtrenjtimet më të ulëta, megjithëse të konsiderueshme, janë në Gjermani dhe Luksemburg (nga 18%) dhe në Austri (19%).

Gripi i shpendëve dhe shtrenjtimi i ushqimit për pula ndikoi në rritje

Fermerët nga Ballkani thonë se gjatë vitit 2022 kanë paguar çmime shumë më të larta të koncentratit për pula në krahasim me një vit më parë. Rrjedhimisht, rritja e shpenzimeve për ruajtjen e pulave ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të vezëve.

Por, rritja e çmimeve shkon përtej rajonit dhe Evropës. Në ShBA, sipas statistikave zyrtare, çmimi i vezëve është rritur për 60% brenda vitit. Madje edhe doganat amerikane po e ndiejnë presionin duke u përballur me rritje të tentimeve për kontrabandim të vezëve nga Meksika.

Si një ndër shkaktarët kryesorë për rritjen e çmimit të vezëve, përskaj inflacionit, llogaritet edhe përhapja e gripit H5N1, i njohur si gripi i shpendëve. Gripi ka fatalitet thuajse 100% tek shpendët dhe vetëm gjatë vitit 2022 ka ndikuar në uljen e numrit të pulave për qindra milionë frymë.

TRT Balkan