Për të gjashtin tremujor radhazi, po rritet numri i falimentimeve të bizneseve në Bashkimin Evropian. Në tremujorin e dytë të vitit 2023, numri i numri i deklaratave të falimentimit të bizneseve në BE u rrit për 8,4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, dhe ka arritur kështu nivelin më të lartë që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2015.
Nga ana tjetër, është ulur numri i bizneseve të reja të regjistruara për 0,6% krahasuar me tremujorin paraardhës, pas një rritjeje prej 2% në tremujorin e parë të vitit.
Këto informacione i publikoi zyra evropiane e statistikës, Eurostat, nga të dhënat për regjistrimet e bizneseve dhe falimentimet.
Më së shumti pësuan bizneset e akomodimit dhe ushqimit
Duke parë konkretisht falimentimet sipas aktivitetit, të gjithë sektorët e ekonomisë shënuan rritje të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të vitit 2023 krahasuar me tremujorin paraardhës. Shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (+23,9%), transporti dhe magazinimi (+15,2%) dhe arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (+10,1%) ishin sektorët me rritjen më të lartë të numrit të falimentimeve në tremujorin e dytë të 2023 krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Krahasuar me tremujorin e katërt të parapandemisë 2019, numri i deklarimeve të falimentimeve në tremujorin e dytë 2023 ishte më i lartë në shumicën e sektorëve të ekonomisë. Rritjet më të mëdha të numrit të falimentimeve, krahasuar me periudhën para pandemisë, janë shënuar në shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (+82,5%) dhe transporti dhe magazinimi (+56,7%).
Nga ana tjetër, në tremujorin e dytë të 2023, kishte vetëm dy sektorë të ekonomisë ku numri i deklarimeve të falimenteve ishte më i ulët se në tremujorin e katërt të vitit 2019, para pandemisë: industria (-11,5%) dhe ndërtimi (-2,7%).