Komuniteti global dhe BE-ja nuk mund ta minojnë GjNP-në            Foto: AA

Komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian "nuk mund ta minojnë Gjykatën Ndërkombëtare Penale ", tha të enjten shefi i politikës së jashtme të BE-së pas lëshimit të urdhrave të arrestit nga GjNP-së për kryeministrin dhe ish-ministrin e mbrojtjes të Izraelit.

Josep Borrell, përpara se të merrte pjesë në një takim të Aleancës Globale për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy shtete në Bruksel, u tha gazetarëve se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja, "nuk mund ta minojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare".

GjNP-ja, në një lëvizje historike javën e kaluar, lëshoi ​​urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Ndërsa disa vende njoftuan se do ta zbatonin vendimin e gjykatës nëse zyrtarët izraelitë do të shkelnin në territorin e tyre, të tjerët ishin më pak të qartë dhe pati mendime se nuk do të kishte arrestime.

Mbështetja e gjykatës “është e vetmja mënyrë për të pasur drejtësi globale. Është mënyra e vetme për të zbatuar llogaridhënien. Nëse evropianët nuk e mbështesin plotësisht gjykatën ndërkombëtare pa zvarritje, atëherë Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk do të funksionojë”, paralajmëroi Borrell.

Gjithashtu, përpara takimit, Ministrja e Jashtme e Belgjikës Hadja Lahbib përsëriti nevojën për një "zgjidhje diplomatike të negociuar, një zgjidhje politike" në Lindjen e Mesme.

"Është koha për të shkuar përtej interesave partiake, përtej ndarjes ... dhe për të përparuar drejt interesit të përgjithshëm të gjithë rajonit," tha ajo.

Ajo shprehu gjithashtu shpresën se armëpushimi në Liban do të "frymëzonte" dhe do të ishte një shembull për paqen në Gaza, e cila tani po përballet me vitin e dytë të një ofensive brutale izraelite që ka vrarë mbi 44.000 njerëz.

TRT Balkan / agjencitë