Mbi 100 të arrestuar në protestat në Britaninë e Madhe / Photo: AA

Mbi 100 persona u arrestuan këtë fundjavë në protestat e organizuara nga grupet e ekstremit të djathtë që u kthyen në trazira në disa qytete të Britanisë së Madhe.

Trazira ndodhën gjithashtu edhe në Hull, Liverpool, Bristol, Mançester, Stoke-on-Trent, Blackpool dhe Belfast, duke rezultuar në dhunë, plaçkitje dhe sulme ndaj policisë.

Në Liverpool, tensionet u përshkallëzuan pasi rreth 1.000 protestues kundër emigracionit, disa duke bërtitur sharje islamofobike, u përleshën me kundërdemonstruesit, raportuan sot mediat britanike.

Gjatë gjithë kaosit, policia luftoi për të ruajtur ligjin dhe rendin dhe për të ndarë dy grupet.

Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper dënoi dhunën, duke theksuar se ata që janë përfshirë në "çrregullime kriminale dhe dhunë" do të mbahen përgjegjës.

"Komunitetet duhet të ndihen të sigurt," tha Cooper, duke premtuar se autorët "do të paguajnë çmimin" për veprimet e tyre.

Kryeministri Keir Starmer premtoi "mbështetje të plotë" të qeverisë për policinë, duke përsëritur një qëndrim të vendosur kundër ekstremistëve që kërkojnë të nxisin urrejtje.

"Ne nuk do të tolerojmë asnjë përpjekje për të mbjellë urrejtje dhe për të ndarë komunitetet tona," tha Starmer.

Trazirat pasuan vrasjen tragjike të tri vajzave të reja në Southport të hënën, një ngjarje që tensionoi më tej marrëdhëniet me komunitetin dhe ndezi trazira të mëtejshme në qytete në mbarë Britaninë.

Gjykatat mund të punojnë gjatë gjithë kohës për të përshpejtuar procedurat, ka sugjeruar Sekretarja e Brendshme Diana Johnson, si dhe të sjellin shpejt para drejtësisë ata që shkaktojnë telashe në rrugë.

Policia gjithashtu ka forcuar sigurinë dhe ka vendosur forca për t'u marrë me trazirat e vazhdueshme, tha Johnson.


TRT Balkan / agjencitë