Ndodhet në Itali, kërkohet arrestimi i gjeneralit izraelit për krime lufte / Photo: The Hind Rajab Foundation / X

Italisë i është kërkuar arrestimi i një gjenerali izraelit, i cili thuhet se ndodhet aktualisht në Romë, për përfshirjen e tij në krimet kundër njerëzimit në Gaza.

Në një deklaratë, Fondacioni Hind Rajab me bazë në Belgjikë tha se ka paraqitur lëndë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjND) dhe i ka informuar autoritetet italiane, duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të gjeneral-major Ghassan Alian i Forcave të Armatosura izraelite.

“Alian mbikëqyri bllokadën totale të Gazës, duke përdorur si armë lufte urinë akute dhe duke e synuar infrastrukturën civile, duke përfshirë spitalet, në akte që përbëjnë gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha fondacioni.

Fondacioni njoftoi se Alian, kreu i koordinatorit të aktiviteteve të qeverisë izraelite në territoret palestineze, “mbikëqyri dhe zbatoi një rrethim total në Gaza, duke i ndërprerë burimet thelbësore si ushqimi, uji, energjia elektrike dhe furnizimet mjekësore. Kjo politikë e qëllimshme e privimit ka çuar në uri masive, vdekje civile dhe shkatërrim të infrastrukturës kritike, duke përfshirë spitalet.”

Duke komentuar këtë zhvillim, Francesca Albanese, raportuesja speciale e OKB-së për territoret e pushtuara të Palestinës, bëri thirrje për veprime të menjëhershme nga autoritetet italiane.

“Shpresojmë se komuniteti ligjor global do të organizohet më mirë, duke mundësuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit me autoritetet. Kjo do të sigurojë që individët e dyshuar për krime ndërkombëtare në territoret e tyre të merren shumë seriozisht,” tha ajo në X.

TRT Balkan / agjencitë