Nga sot, Hungaria kryeson BE-në / Photo: AA

Hungaria merr presidencën e BE-së nga sot dhe një nga shtatë prioritetet e Budapestit do të jetë një politikë e qëndrueshme dhe e bazuar në merita e zgjerimin me mesazhin se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllok. Përveç zgjerimit, prioritetet e presidencës hungareze do të jenë konkurrueshmëria, mbrojtja, migrimi i paligjshëm, zhvillimi rajonal, politika bujqësore dhe demografia, thuhet në faqen e internetit të Presidencës.

“BE-ja ka kohë që është angazhuar në ofrimin e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, sepse komuniteti nuk mund të jetë i plotë pa aderimin e këtij rajoni. Integrimi i rajonit sjell përfitime për Bashkimin Evropian në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe gjeopolitik”. Për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, shtohet se partnerët do të ftohen në konsultime si në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ashtu edhe në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.

Gjashtë prioritetet e mbetura të presidencës hungareze kanë të bëjnë me marrëveshjen e re evropiane të konkurrencës, forcimin e politikës evropiane të mbrojtjes, parandalimin e migracionit të paligjshëm, formësimin e së ardhmes së politikës së kohezionit të BE-së, politikën bujqësore të BE-së të orientuar drejt fermerëve dhe zgjidhjen e sfidave demografike.

Në pjesën e programit që i referohet veprimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, thuhet se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është një interes jetik i BE-së dhe se Presidenca hungareze do të mbështesë thellimin, e projekte specifike për bashkëpunim me rajonin, veçanërisht për përmirësimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal. Theksohet se gjatë presidencës, Hungaria planifikon të organizojë një samit BE-Ballkani Perëndimor në rajon dhe të mbajë konferenca ndërqeveritare me vendet kandidate.

Interesi kryesor i BE-së është, theksohet, të ruajë stabilitetin në fqinjësinë e afërt dhe që rajoni të anëtarësohet në BE në të ardhmen e parashikueshme.

Kur bëhet fjalë për politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, thuhet se gjatë presidencës, duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë, Budapesti do ta konsiderojë si prioritet sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Sahelit përmes misioneve ushtarake, bashkëpunimit dhe dialogut të BE-së, i fokusuar në sigurinë, si dhe ofrimin e mbështetjes nëpërmjet Instrumentit Evropian për Paqe.

Kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, thuhet se do të bëhen përpjekje për afrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Gjeorgjisë me zonën roaming të BE-së dhe programi, ndër të tjerash, thekson rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në garantimin dhe sigurinë e Evropës.

Motoja e presidencës së ardhshme gjashtëmujore hungareze të BE-së do të jetë "Ta bëjmë Evropën përsëri të madhe", tha më herët ministri hungarez i BE-së, János Bóka, duke paraqitur prioritetet dhe ambiciet e presidencës hungareze.

Gjatë presidencës belge, BE-ja arriti të gjejë një konsensus për mbështetjen e re financiare për Ukrainën, duke përfshirë fondet e ngrira ruse. U hapën zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, u miratuan paketa e 13-të dhe e 14-të e sanksioneve kundër Rusisë.

Hungaria do të kryesojë BE-në nga 1 korriku deri më 31 dhjetor.


AA