Samiti i 10-të i Procesit të Berlinit do të zhvillohet sot në Berlin.
Me ftesë të kancelarit të Gjermanisë në këtë samit marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së të përfshira në proces.
Samiti do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal, një treg të përbashkët rajonal dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në takim do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe qëllimi kryesor i formatit që në fillim ka qenë t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në – në mënyrë që të përmbushin rekomandimet e bëra në BE në Selanik në vitin 2003, kur këtyre vendeve iu premtua anëtarësimi në BE.
Tirana mikpriti një vit më parë (16 tetor 2023) Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2023, i cili u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe organizmave ndërkombëtare të mbi 25 vendeve.