Në Japoni po përhapet një sëmundje që “ha mish njeriu” / Photo: AA

Një bakter vdekjeprurës që shkakton sindromën e shokut toksik streptokoksik (STSS) po përhapet me shpejtësi në Japoni dhe kryeqyteti Tokio është kthyer në një pikë të nxehtë.

Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive (NIID) tha se vendi kishte 977 raste këtë vit, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 941 infeksionesh në 2023.

Është raportuar se sëmundja shkaktohet nga bakteri “streptococcus pyogenes” dhe shpesh shoqërohet me dhimbje të fytit, e cila më vonë mund të çojë në nekrozë të ekstremiteteve dhe dështim të shumë organeve.

Po raportohen gjithnjë e më shumë raste të infeksionit të shkaktuar nga lloje më vdekjeprurëse dhe ngjitëse të baktereve, veçanërisht në rajonin Kanto në zonën më të madhe metropolitane të Tokios.

Ministri i Shëndetësisë, i Punës dhe i Mbrojtjes Sociale, Takemi Keizo, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të masave themelore për infeksion, tha:

"Ne besojmë se është e nevojshme të vazhdojmë të monitorojmë tendencat e infeksionit."

Specialisti i sëmundjeve infektive dr. Kikuchi Ken gjithashtu deklaroi se plagët e këmbëve janë veçanërisht të ndjeshme ndaj infeksionit bakterial streptokoksik.

Duke i përshkruar plagët e vogla si flluska dhe këmba e atletit si "pika të mundshme hyrëse" për bakteret, Kikuchi vuri në dukje se në pacientët e moshuar, koha nga infektimi deri në vdekje mund të jetë 48 orë.

Duke thënë se temperatura e lartë e shoqëruar me delir dhe ënjtje të shpejtë të plagëve janë shenja të rrezikshme, Kikuchi theksoi se në një situatë të tillë duhet menjëherë të kërkohet ndihmë mjekësore.

Në situata ekstreme, bakteret e grupit A mund të bëhen invazive, duke depërtuar thellë në indet e buta dhe muskujt përmes prerjeve dhe plagëve. Ky fenomen më pas rezulton në fasciit nekrotizues. Simptomat e kësaj sëmundjeje “mishngrënëse” janë ethet ose dhimbjet e muskujve dhe presioni i ulët i gjakut, si dhe dështimi i organeve dhe shoku septik mund të pasojnë pas 48 orësh. Rezultati mund të jetë fatal nëse pacienti nuk merr antibiotikë shpejt.

TRT Balkan / agjencitë