Një fëmijë dyvjeçar në Slloveni humbi jetën në një makinë të tejngrohur pasi ishte lënë vetëm në makinë për më shumë se dy orë. Edhe pse ekipet mjekësore kanë tentuar ta shpëtojnë fëmijën, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje. Policia sllovene e ka arrestuar nënën e tij dhe partnerin e saj dhe po i ngarkon me “shkaktim të vdekjes nga pakujdesia” .
Autoritetet shëndetësore sllovene kanë apeluar që të mos lihen fëmijët në makina pa mbikëqyrje të të rriturve as për një minutë në makinë të mbyllur dhe të parkuar.
Dukuri që po merr qindra jetë
Rasti në Slloveni është i pari i kësaj natyre në këtë vend ballkanik, por kjo dukuri përsëritet ndër vite në gjithë botën dhe, fatkeqësisht, merr jetën e dhjetëra fëmijëve çdo verë.
Për shembull, vetëm në ShBA vitin e kaluar kishin humbur jetën 33 fëmijë nga të nxehtët në makinë. Prej vitit 1998 e deri më tani, 948 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit në makinë.
Ekspertët paralajmërojnë se temperatura e trupit të një fëmije rritet tre deri në pesë herë më shpejt se ajo e një të rrituri. Kur një fëmijë lihet brenda automjetit, temperatura e tij mund të rritet shpejt — dhe situata shumë shpejt mund të bëhet e rrezikshme.
Temperaturat brenda një makine mund të rriten në 20 gradë në vetëm 10 minuta, ndërsa mund të arrijnë 40 gradë në 30 minuta, dhe kjo i bën ato të rrezikshme. Madje edhe në dimër kur temperaturat jashtë makinës janë të ftohta, makina e parkuar mund të nxehet dhe bëhet vend i rrezikshëm për ta lënë fëmijën.
Një studim i vitit 2005 zbuloi se edhe kur jashtë është 22 gradë, temperatura brenda një makine të parkuar në diell u ngjit në 47 gradë në 60 minuta.
Goditja e nxehtësisë fillon kur temperatura e trupit arrin rreth 40 gradë. Një fëmijë mund të vdesë kur temperatura e trupit të tij arrin mbi 41 gradë.
Rekomandime për të shmangur tragjedi
Ekspertët e specializuar për pasojat e nxehtësisë ndaj njerëzve japin disa rekomandime për të shmangur tragjeditë e tilla, bazuar në rastet që ndodhin më së shpeshti:
1. Asnjëherë mos e lini një fëmijë në një automjet pa mbikëqyrje për një kohë të gjatë. Hapja e dritareve ose parkimi në hije nuk ndryshon shumë temperaturën e brendshme të automjetit.
2. Bëjeni zakon të kontrolloni të gjithë automjetin tuaj - veçanërisht sediljen e pasme - përpara se të mbyllni dyert dhe të largoheni.
3. Vendosni një send personal si çantë ose diçka tjetër që do të ju bëjë të shikoni pas në makinë kur bëheni gati të dilni. Shkruani një shënim ose vendosni një lodër në sediljen e pasagjerit për t'ju kujtuar se një fëmijë është në sediljen e pasme.
4. Ruani çelësat e makinës në vende ku nuk mund t’i kapin fëmijët dhe mësojini fëmijët se automjeti nuk është kënd lojërash.
5. Mbyllni gjithmonë dyert e makinës suaj në mënyrë që fëmijët të mos mund të hyjnë pa mbikëqyrje.
6. Një fëmijë në vështirësi për shkak të nxehtësisë duhet të hiqet nga automjeti sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ftohet shpejt.