Efektet e dëmshme të hipertensionit: si të parandalohen 76 milionë vdekje?  / Foto: AA

Efektet e rrezikshme të presionit të lartë të gjakut janë theksuar në një raport të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), e cila e identifikon gjendjen si një nga faktorët kryesorë të rrezikut për vdekjen dhe invaliditetin në mbarë botën dhe thekson se me trajtimin e duhur, 76 milionë vdekje mund të parandalohen globalisht deri në vitin 2050.

Raporti i parë i OBSh-së mbi ndikimin global të presionit të lartë të gjakut, i njohur gjithashtu si hipertensioni, ofron rekomandime për mënyrat për të luftuar "vrasësin e heshtur".

"Hipertensioni kontrollohet nga vetëm një në pesë njerëz"

Hipertensioni, i kategorizuar si një tregues i presionit të gjakut prej 140/90 mmHg ose më i lartë, prek 1 në 3 të rritur në mbarë botën, sipas raportit. Kjo zakonisht çon në një sërë problemesh të tjera shëndetësore, duke përfshirë goditje në tru, sulm në zemër, dobësim të zemrës dhe dëmtim të veshkave.

“Hipertensioni mund të kontrollohet në mënyrë efektive me regjime të thjeshta dhe të lira trajtimi, megjithatë vetëm një në pesë persona me hipertension e ka nën kontroll”, tha dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së.

Rritja e numrit të njerëzve që trajtohen efektivisht për hipertensionin mund të parandalojë 76 milionë vdekje midis 2023 dhe 2050, thotë OBSh-ja.

Këto masa parandaluese përfshijnë ngrënien e një diete të shëndetshme, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, shmangien e alkoolit dhe duhanit dhe ushtrimin e rregullt, thuhet në raport.

Këto strategji ashtu siç thuhet në raport duhet të zbatohen në mjedise të veçanta siç janë shkollat ​​dhe vendi i punës për të promovuar më tej zgjedhje më të shëndetshme të jetesës. Një tjetër taktikë është zvogëlimi i marrjes ditore të kripës.

“Shumica e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru në botë sot janë të parandalueshme me medikamente të përballueshme, të sigurta, të arritshme dhe ndërhyrje të tjera, si zvogëlimi i kripës”, ​​tha Michael Bloomberg, ish-kryebashkiak i Nju Jorkut dhe ambasador global i OBSh-së për sëmundjet dhe lëndimet jo të transmetueshme.

Kosto të mëdha për pacientët në mbarë botën

Marrja e rekomanduar e kripës ndryshon nga vendi në vend, por OBSh-ja rekomandon më pak se 5 gramë kripë në ditë. Konsumimi mesatar global i kripës është më shumë se dyfishi i asaj: 10,8 gramë në ditë, thotë organizata.

Në vitin 2013, të 194 vendet anëtare të OBSh-së u zotuan të reduktojnë marrjen e kripës me 30 për qind deri në vitin 2025, por një raport i publikuar këtë vit zbuloi se vetëm 5 për qind kishin zbatuar politika gjithëpërfshirëse të reduktimit të kripës.

OBSh-ja gjithashtu vuri në dukje se hipertensioni dhe ndërlikimet e tij rezultojnë në kosto "të jashtëzakonshme" në mbarë botën për pacientët, sistemet shëndetësore dhe ekonomitë kombëtare.

"Kujdesi i mirë për hipertensionin është i përballueshëm, i arritshëm dhe forcon kujdesin parësor," tha dr. Tom Frieden, president dhe shef ekzekutiv i Resolve to Save Lives dhe ish-drejtor i CDC-së.

"Sfida tani është të kalojmë nga 'brenda mundësive' në 'të arritura'. Kjo do të kërkojë angazhimin e qeverive anembanë botës," shtoi ai.

TRT Balkan