Përdorimi i alarmit për t’u zgjuar ju bën të lodhur kronikisht.     Foto: AA



Nëse vazhdimisht shtyni alarmin në mëngjes, mund të jetë për shkak se jeni të lodhur kronikisht, tregon një studim i publikuar në revistën Sleep.

Edhe pse mjekët në përgjithësi gjithmonë kanë qenë kundër përdorimit të alarmit për zgjim nga gjumi, deri tani nuk kishte të dhëna të mjaftueshme që mbështesnin shqetësimet e tyre. Por, ky studim i fundit i revistës Sleep, që përfshiu 450 të rritur, tregon se 57% e punonjësve të moshës madhore, të punësuar me orar të plotë dhe me rrogë, i shtyjnë alarmet e tyre.

Personat e përfshirë në studim iu nënshtruan një sërë instrumentesh që matnin kohëzgjatjen e gjumit dhe rrahjet e zemrës nëpërmjet pajisjeve të veshura.

Ata zbuluan se personat që shtynë alarmet e tyre përjetuan më shumë shqetësime të gjumit - dhe njerëzit që zgjoheshin në mënyrë natyrale flinin më gjatë dhe pinin më pak kafe gjatë ditës.

Femrat kishin 50% më shumë gjasa për të dremitur se burrat, dhe ata që rrijnë vonë ishin më të prirur për të shtyrë alarmin në mëngjes dhe ishin më të lodhurit.

Përdorimi i një alarmi prish ciklin natyror të gjumit të një personi, që si përfundim ai mund të ndihet më i turbullt në krahasim me ata që zgjohen vetë, thanë shkencëtarët. Njerëzit gjithashtu kanë hormone të ndryshme që qarkullojnë në trup kur janë në gjumë të thellë në krahasim me para se të zgjohen natyrshëm.

Një përqindje e madhe e njerëzve nuk bën gjumë mjaftueshëm

Studiuesit thanë se zgjimi në mënyrë natyrale bën që trupi të përjetojë një përgjigje stresi që na bën të ndihemi më vigjilentë dhe përdorimi i një alarmi anashkalon atë përgjigje natyrale të stresit, e cila në mënyrë të pashmangshme ndërpret një cikël gjumi.

“Tani kemi të dhëna për të vërtetuar se sa e zakonshme është shtyrja e alarmit – dhe ka ende aq shumë sa nuk dimë. Kaq shumë njerëz po dremisin sepse kaq shumë njerëz janë të lodhur kronikisht. Nëse vetëm një në tre njerëz flenë në mënyrë adekuate, kjo do të thotë se shumë prej nesh po kthehen në mjete të tjera për të menaxhuar lodhjen", tha dr. Stephen Mattingly, autor udhëheqës i studimit.

Megjithatë, nuk ka rëndësi nëse zgjoheni me alarmin tuaj të parë ose të tretë - përdorimi i një alarmi në radhë të parë është një tregues se jeni shumë i lodhur.

“Rekomandimi kundër një alarmi është i bazuar mirë, por për aq sa mund të dallojmë nga fiziologjia dhe të dhënat tona, zgjimi në një alarm ose goditja e butonit të shtyrjes dhe zgjimi në dy ose tri alarme nuk bën shumë një ndryshim. Nëse keni nevojë për një alarm sepse jeni të privuar nga gjumi - ky është problemi", tha Aaron Striegel, profesor i shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë në Notre Dame.

Mjekët rekomandojnë mesatarisht 8 orë gjumë. Ideale do të ishte që të shkoni në shtrat rreth orës 10 të darkës, por e rëndësishme është edhe krijimi i një orari konzistent të gjumit që do të respektohet në vazhdimësi.




TRT Balkan