Hulumtim: Si të parandalohen abortet spontane?  / Foto: AA

Një kuptim më i mirë i shkaqeve të abortit spontan dhe, në raste të caktuara, ndihma në parandalimin e tyre ishte fokusi i hulumtimit të një ekipi mjekësh të udhëhequr nga një gjinekolog danez, i cili tregoi se një test i thjeshtë gjaku mund të sqarojë pse disa gra nuk arrijnë të mbajnë një shtatzëni.

Pamundësia e mbajtjes së shtatzënisë prek çdo grua të dhjetë në botë. Ndodh më shpesh në vendet më të zhvilluara ku gratë vendosin të mbeten shtatzënë në një moshë më të vonë.

Dr. Henriette Svarre Nielsen kohët e fundit botoi një punim me kolegët e saj nga Universiteti i Kopenhagës në revistën shkencore The Lancet, në të cilën ajo u përpoq të përcaktonte nëse aborti spontan ndodh për shkak të një anomalie kromozomale apo diçka tjetër.

Ndryshe nga testet e mëparshme, ky mund të përdoret që në fillim të shtatzënisë, që në javën e pestë.

“Në rast të ndërprerjes së shtatzënisë, ne mund të bëjmë një test gjaku te nëna për të zbuluar karakteristikat gjenetike të fetusit”, tha doktor Svarre Nielsen për AFP-në.

Deri më tani, një test i ngjashëm në Danimarkë u ofrohej grave vetëm pas tri aborteve të njëpasnjëshme dhe nëse shtatzënia arrinte dhjetë javë ose më shumë shtatzëni.

Sot në klinikën në Hvidovre u ofrohet një analizë gjaku për të gjitha gratë që kanë bërë abort spontan dhe më pas vijnë në urgjencë te. dr. Svarre Nielsen.

Pasi të izolohet dhe më pas të sekuencohet nga një test gjaku, ADN-ja e embrionit ose fetusit analizohet për të përcaktuar nëse ai mbart një anomali kromozomale që e pengon atë të vazhdojë të jetojë.

Përgjigjja është zakonisht pozitive në 50 deri në 60 për qind të rasteve.

Mjekët pastaj përpiqen të "përcaktojnë nëse disa numra kromozomesh janë më problematikë se të tjerët dhe më pas ata mund të përcaktojnë rrezikun në të ardhmen", shpjegoi tekniku i laboratorit Lene Werge.

Nëse nuk ka anomali kromozomale, mjekët u drejtohen kërkimeve të kujdesshme.

Çekuilibri hormonal, sëmundjet endokrine, problemet e koagulimit ose edhe mënyra e jetesës mund të shpjegojnë ndërprerjen e hershme të shtatzënisë. U takon mjekëve të përcaktojnë rreziqet dhe të sugjerojnë terapi.

I nisur në vitin 2020, projekti i quajtur COPL është ende aktual dhe duhet të mundësojë krijimin e një baze të dhënash unike që do të përmbajë të dhëna për patologji të ndryshme falë të dhënave të mbledhura për një numër të madh pacientësh.

“Ne do të marrim një bazë të dhënash të besueshme për t'iu përkushtuar zgjidhjes së problemeve që lidhen me abortet spontane, riprodhimin, por edhe shëndetin e grave në përgjithësi”, tha dr. Svarre Nielsen.

Abortet spontane sipas Svarre Nielsen janë shumë të shpeshta dhe ndodhin në 25 për qind të të gjitha shtatzënive. Por, prej vitesh siç thotë ajo nuk i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme mekanizmave që i kanë shkaktuar, si dhe ndikimit të tyre në shëndetin mendor të çifteve.

Para se të lindte dy fëmijët e saj, Rikke Hemmingsen pati tri aborte.

Sot ajo është shumë e përfshirë në një projekt që “të jep shpresë se më pak femra do të duhet të përjetojnë atë që kam përjetuar unë dhe shumë femra të tjera”.

"Kjo do t'i jepte kuptim gjithë dhimbjes dhe trishtimit që shoqëron çdo humbje të shtatzënisë," thotë ajo.

Dramat intime pas aborteve spontane diskutohen rrallë në publik, madje edhe kur diskutohen, reagimet mund të jenë të ngathta, të papërshtatshme dhe të padobishme.

"Fakti që të gjithë thonë 'është normale' nuk i bën gjërat më normale ose më pak të dhimbshme për personin që po kalon të gjitha. Por, mesa duket nuk na inkurajon të flasim për humbjen", thotë kjo grua e re duke shtuar se kjo temë tabu e vështirëson qasjen në metodën e duhur të trajtimit.

“Duhet të fillojmë të flasim për këtë më hapur, sepse njerëzit nuk do t'ju besojnë se ka ekspertë në këtë vend që mund t'ju ndihmojnë,” tha ajo.

Dr. Svarre Nielsen thotë se përfundimisht rezultatet e studimit mund të ndihmojnë në parandalimin e 5 për qind të 30 milionë aborteve spontane në mbarë botën çdo vit.

TRT Balkan / agjencitë