OBSh-ja shpreh keqardhje për tërheqjen e ShBA-së.          Foto: AA

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tarik Jashareviq, shprehu keqardhje nga njoftimi i ShBA-së se planifikojnë të tërhiqen nga kjo organizatë.

Në konferencën javore për media të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, Jashareviq ndau mesazhin e OBSh-së lidhur me vendimin e tërheqjes së ShBA-së.

"OBSh-ja shpreh keqardhje për njoftimin e ShBA-së se planifikon të tërhiqet", tha Jashareviq, duke vënë në dukje se OBSh-ja po ndërton sisteme më të forta shëndetësore duke adresuar shkaqet rrënjësore të sëmundjeve.

"OBSh-ja duke zbuluar, parandaluar dhe duke iu përgjigjur situatave emergjente shëndetësore, përfshirë edhe epidemitë e sëmundjeve, luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së njerëzve anembanë botës, duke përfshirë popullatën e ShBA-së", vlerësoi Jashareviq.

Ai rikujtoi se ShBA-ja është anëtar themelues i OBSh-së në vitin 1948, duke shtuar se që atëherë, ShBA-ja së bashku me 193 shtete të tjera anëtare, kanë kontribuar në formësimin dhe menaxhimin e punimeve të OBSh-së, duke përfshirë pjesëmarrjen e saj aktive në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë dhe Bordin Ekzekutiv.

"OBSh-ja dhe ShBA-ja prej një kohe të gjatë kanë shpëtuar jetë të panumërta dhe bashkë me amerikanët kanë mbrojtur njerëzit nga kërcënimet shëndetësore. Së bashku i dhamë fund lisë dhe së bashku e sollëm poliomielitin në prag të eliminimit. Institucionet amerikane kontribuuan dhe përfituan nga anëtarësimi në OBSh", njoftoi Jashareviq.

Ai tha se shpreson që ShBA-ja do ta rishqyrtojë këtë vendim, duke shtuar: "Ne mezi presim të angazhohemi në një dialog konstruktiv për të vazhduar partneritetin midis ShBA-së dhe OBSh-së për të mirën e shëndetit dhe mirëqenies së miliona njerëzve në mbarë botën".

Menjëherë pas marrjes së detyrës, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një dekret presidencial që përcakton tërheqjen e ShBA-së nga OBSh-ja që është institucion i OKB-së.

TRT Balkan / agjencitë