Sipas Regjistrimit të vitit 2021, Kroacia ka 3.871.833 banorë që është rreth 100 mijë banorë më pak se në regjistrimin e vitit 1953.     Foto:  Državni zavod za statistiku

Enti Shtetëror i Statistikave i Kroacisë (DZS) prezantoi rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të popullsisë në vitin 2021. Ajo që vihet re është se vazhdimi i trendit të rënies së numrit të popullsisë në Kroaci.
Sipas Regjistrimit të vitit 2021, Kroacia ka 3.871.833 banorë që është rreth 100 mijë banorë më pak se në regjistrimin e vitit 1953. Numri më i madh i banorëve në Kroaci u regjistrua në vitin 1991 (4.78 milionë). Që atëherë numri ka rënë vazhdimisht. Krahasuar me regjistrimin e mëparshëm të vitit 2011, numri i banorëve të Kroacisë është zvogëluar për 413.056 banorë ose për 9.46 për qind.
Përqindja e të moshuarve të moshës 65 vjeç e lart kishte rritje të vazhdueshme që nga regjistrimi i vitit 1953, kur ishte 7 për qind, ndërsa në vitin 2021 kjo kategori përbën 22,5 për qind të popullsisë së përgjithshme. Rënia më e madhe e popullsisë është vërejtur në pesë qarqe lindore të Kroacisë, ndërsa të gjitha qarqet kanë shënuar rënie të numrit të banorëve.
Drejtoresha e përgjithshme e Entit Shtetëror të Statistikave, Lidija Bërkoviç, deklaroi se, sipas regjistrimit të vitit 2021, 195 vendbanime në Kroaci nuk kanë asnjë banor, ndërsa 1.845 vendbanime kanë më pak se 50 banorë.
Sipas strukturës kombëtare të popullsisë, në Kroaci jetojnë 91,63 për qind kroatë, 3,20 për qind serbë, 0,62 për qind boshnjakë, 0,46 për qind romë, 0,36 për qind italianë dhe 0,36 për qind shqiptarë.
Sipas përkatësisë fetare, në Kroaci 78,97 për qind janë katolikë, 3,32 për qind janë ortodoksë, 1,32 për qind janë myslimanë, 4,71 për qind janë jobesimtarë ose ateistë, ndërsa 1,72 për qind nuk kanë dashur të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare.
Sipas gjuhës amtare, 95,25 për qind flasin kroatisht, 1,16 për qind flasin serbisht, ndërsa më pak se një për qind flasin një gjuhë amtare tjetër.
Shtetas kroatë ishin 99,24 për qind, ndërsa 0,74 për qind ose 28.784 ishin të huaj.
Regjistrimi i vitit 2021 është kryer në terren nga 27 shtatori deri më 14 nëntor 2021, ndërsa mbi 1.6 milionë qytetarë u regjistruan në mënyrë të pavarur nëpërmjet regjistrimit onlajn.

AA