Tregjet ose pazaret, siç njihen ndryshe ndër popull, prej shekujsh kanë qenë pikëtakimi për shumë gjenerata. Me kalimin e kohës format e tyre kanë ndryshuar. Hapja e marketeve të mëdha bashkëkohore në njëfarë mënyrë i ka vendosur nën hije tregjet tradicionale. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Por, në disa vende të Ballkanit, ende funksionon “dita e pazarit”, e cila zakonisht organizohej afër tregjeve të vjetra, po dikur ekzistonin vende ku ata mbaheshin në lokacione krejtësisht të tjera.
Duke përshkruar të kaluarën dhe situatën momentale TRT Balkan ju sjell në vazhdim gjendjen në kryqendrat e Ballkanit Perëndimor, sa i përket “ditës së pazarit”.
Ditë të njëjta pazari në Prishtinë e Shkup
Dita e martë dhe dita premte në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Kosovës llogariten si “ditë pazari”. Organizimi i këtyre ditëve në të kaluarën kishte jehonë të madhe mes popullatës. Ditët e pazarit në Prishtinë dikur mbaheshin në lokacione të ndryshme. Sot, këto ditë në mesin e popullatës më të re fare pak janë të njohura. Për dallim nga Prishtina, ditët në fjalë në Shkup vazhdojnë të organizohen. Natyrisht, jo si dikur, por në mënyre simbolike. Krahas tregut të njohur të Bit Pazarit, konkretirisht në rrugët përreth tij, edhe sot gjatë ditës së martë dhe ditës së premte shtohet numri i tregtarëve. Kjo kategori e tregtarëve kryesisht përbëhet nga tregtarët ambulantë, nga rrethina e Shkupit.
Dita e diel, ditë pazari në Tiranë
Dita e diel në qytetin e Tiranës prej vitesh njihet si ditë pazari. Mirëpo, vetëm nga gjeneratat më të vjetra, të cilët ende e kujtojnë kohën kur kjo ditë shndërrohej si ditë feste. Të rinjtë kanë shumë pak njohuri për ditën e pazarit të Tiranës. Pazari i Ri i rikonsturuar vite më parë tashmë në Tiranë njihet se vendi më i frekuentuar për të blerë produktet ushqimore, por jo vetëm.
Periudha e regjimit komunist që e kaploi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore ndikoi negativisht edhe mbi kulturën tradicionale të Tiranës. Prej goditjeve më të mëdha që pësoi ky qytet ishte shembja e Pazarit të Vjetër ose Çarshia e Tiranës, në vitin 1959.
Sarajevasit me shprehi të vjetra
Çarshia e Sarajevës dhe hapësira e panairit të këtij qyteti çdo të mërkure dikur ishin vende ku organizohej “dita e pazarit”. Paraprakisht fshatarët nga të katër anët e Bosnjë e Hercegovinës merrnin me qira lokale në Sarajevë, për të deponuar mallrat e tyre me qëllim që gjatë ditë së mëkurë të jetë gati për shitje.
Ditët e tregut në BeH, ngjashëm si në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndryshonin nga dita në ditë. Pavarësisht se rrethanat në ditët e sotme kanë ndryshuar, te qytetarët e vjetër të Sarajevës ende mbizotëron shprehia e bërjes së pazarit gjatë ditës së mërkurë.
Ditët e pazarit, aktivitet turistik në Mal të Zi
Dita e pazarit në Mal të Zi ende ruhet në të gjitha qytetet dhe qytezat. Tani më së shumti si artefakt urbano-etnologjik. Gjithnjë e më pak rëndësi sociale, ekonomike dhe kulturore. Për të mos u harruar kjo traditë shumëvjeçare autoritetet në Mal të Zi ditën e pazarit në qytete të ndryshme e kanë aktivizuar për programeve turistike. Ditë pazari në Podgoricë është dita e martë dhe dita e enjte.
Pazari “Buvljak”, sinonim i Beogradit
Në dalje të Beogradit, në rrugën drejt qytetit të Nishit, çdo të shtunë, që prej kohësh organizohet pazari i hapur, i njohur me emrin “Buvljak” (pazari i pleshtave). Vizitorët e këtij pazari mund të gjejnë gjithçka që u nevojitet dhe vijnë nga rrethina të ndryshme. Koleksionistë të ndryshëm po ashtu janë vizitorë të shpeshtë të këtij pazari.
19 Tet 2022
Ditët e pazarit në Ballkanin Perëndimor, dikur dhe sot
Gjeneratat e reja nuk i dinë, të vjetrit i kujtojnë me mallëngjim, ditët e pazarit në të kaluarën kishin rol domethënes në jetën socio-ekonomike të qytetarëve në rajon.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore