Pesëdhjetë vjet më parë, në Shkup ndodhi një nga vjedhjet më të njohura të pikturave në Ballkan, për të cilën ishte informuar personalisht autori i pikturës së vjedhur, i madhi Pablo Pikaso. Në hetimin e kësaj vjedhjeje ishte përfshirë edhe Interpoli, ndërsa për incidentin shkruan dhe raportuan mediat rajonale dhe botërore. Vjedhësit u gjetën, kurse piktura u kthye në Shkup.
Historia sesi piktura e Pablo Pikasos mbërriti në Shkup dhe si u vodh, i ngjan një skenari filmi. TRT Balkan u përpoq të paraqesë në mënyrë kronologjike gjithë historinë e para 50 viteve.
Piktura u gjet pas tërmetit të 63-tës
Shkupi u gjend në fokusin e mediave botërore pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, kur pothuajse 80 për qind e pjesës qendrore të qytetit u shkatërrua, kurse fatkeqësia shkaktoi vdekjen e rreth 1.100 njerëzve. Me kuptimin e plotë të fjalës, e gjithë bota tregoi solidaritet.
Në mesin e tyre kishte edhe artistë dhe shkrimtarë të mëdhenj botërorë, që përhapën idenë e solidaritetit me banorët e Shkupit.
“Shkupi nuk duhet të mbetet vetëm raportim në gazetë për vuajtjet që përjetoi, por duhet të shndërrohet në një përgjegjësi për të gjithë ne, njerëzit e sotëm dhe të së ardhmes që mund të jemi viktima të fatkeqësive të ngjashme; ne të gjithë duhet të jemi shkupjanë”, kishte deklaruar romancieri i famshëm italian Alberto Moravia.
Filozofi Zhan-Pol Sartr gjithashtu kishte bërë një deklaratë prekëse.
“Shkupi nuk është një film thriller në të cilin supozojmë se cila mund të jetë ngjarja kryesore. Shkupi është një përqendrim i luftës njerëzore për liri me rezultat që frymëzon luftërat e ardhshme dhe mospranimin e disfatave”, kishte theksuar Sartr.
Në periudhën pas tërmetit, pati një sërë iniciativash për të rikthyer jetën në Shkup. Midis tyre ishte ideja e krijimit të një galerie të artit bashkëkohor, konkretisht Muzeut të Artit Bashkëkohor. Drejtori i parë i këtij institucioni, Boris Petkovski, filloi një mision për mbledhjen e veprave artistike të autorëve botërorë. Përmes një kolegu të tij nga Parisi, artistëve të kohës iu bë thirrje që të ofrojnë donacione për Shkupin.
Në periudhën që pasoi pati një gamë donacionesh, duke përfshirë një nga artisti i famshëm spanjoll Pablo Pikaso, një nga piktorët më të famshëm në historinë e artit. Më pas Petkovski u takua personalisht me Pikason.
Sipas informacioneve nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, pikturën “Koka e gruas” ky institucion e ka pranuar në vitin 1965, ndërsa vepra është krijuar pikërisht në vitin fatal për Shkupin, 1963. Bëhet fjalë për pikturë vaj në pëlhurë me përmasa 73 me 55 centimetra.
“Vepra është një zgjedhje personale e Pikasos, i cili ndër artistët e parë me famë botërore shpalli dhurimin e veprës së tij për koleksionin muzeor, pas tërmetit katastrofik të Shkupit në vitin 1963, kur vëmendja e publikut botëror u përqendrua në ndërtimin e Shkupit, por edhe në mbështetjen morale për Shkupin”, thotë Muzeu i Arteve Bashkëkohore.
Pikaso ishte 82 vjeç kur përfundoi pikturën “Koka e gruas”, e cila në fakt është një portret i Zhaklin Rok, gruas së tij të dytë. Piktura i përket dekadës së tij të fundit krijuese, të cilën kritikët e quajnë “Pikasoja i vonshëm”. Në këtë fazë, ngjyrat e pikturave të tij janë të zbehta, autori përdor vetëm tone të zeza, të bardha, gri dhe të kaltra.
Vjedhja e pikturës nga salla e muzeut
Piktura u vodh më 17 nëntor 1971 nga salla e ekspozitës së Muzeut të Arteve Bashkëkohore. Thuajse njëkohësisht, vepra të tij u vodhën në disa galeri në Paris. Në hetimin e kësaj vjedhjeje, përveç policisë jugosllave, kishte ndërhyrë edhe Interpoli.
Pesë muaj më vonë, në fund të marsit, Associated Press raportoi se piktura e dhuruar e vjedhur në Shkup ishte gjetur në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Pesë persona që ishin pjesë e një grupi ndërkombëtar hajdutësh arti u kapën gjatë operacionit. Sipas informacioneve, vjedhësit ishin gjermanë dhe jugosllavë.
Piktura u kthye në Shkup më 21 prill 1972. Ajo që ishte befasuese ishte se piktura ishte dëmtuar rëndë dhe si rezultat, duhej të rikthehej në pamjen e saj origjinale.
Shuma e rënë dakord ishte 45.000 marka
Sekretariati i atëhershëm Republikan i Punëve të Brendshme bëri të ditur detajet për vjedhjen, të cilat u transmetuan atë kohë në “Nova Makedonija”. Sipas këtij shkrimi, në vjedhje ishte përfshirë një student i Fakultetit Filozofik në Shkup. Ai kishte një mik nga Izraeli, të cilit ia kishte rrëfyer planin, në mënyrë për t'i gjetur blerës. Izraeliti kishte pranuar të ndërmjetësonte në shitjen e pikturës së vjedhur.
Piktura u vodh drejtpërdrejt nga muzeu. Studenti kishte vizituar muzeun dhe e kishte lëvizur pikturën disa herë ngadalë për të parë nëse ishte e lidhur me pajisje alarmi. Pasi ishte siguruar se nuk kishte pajisje alarmi, ai u përpoq të priste fijet e najlonit me të cilat ishte ngjitur piktura në kornizë, por pa sukses.
Ai erdhi sërish të nesërmen dhe ia doli qëllimit. E mori pikturën dhe e hodhi nga një dritare në lëndinën e muzeut. Vjedhësi e mori atë pa u vënë re nga roja. Më pas, në muajt në vijim, u zhvilluan negociata për transportin dhe shitjen e pikturës.
Ai u nis për në Vizbaden, ku vazhdoi përpjekjet e tij për ta shitur. Nëpërmjet emigrantëve maqedonas, ai gjen një blerës për pikturën. Marrëveshja ishte që piktura të blihej nga një shtetas gjerman për 45.000 marka gjermane. Ata duhej të takoheshin në një hotel pranë aeroportit të Frankfurtit, por hajdutët u kapën dhe u arrestuan, sepse blerësit ishin në fakt njerëz nga policia e Frankfurtit.
Sipas raportimeve të mediave, vjedhësi u dënua me gjashtë vite burg. Kjo i dha fund një prej vjedhjeve më të famshme të veprave të artit në këto treva.