Blinken kërkon deeskalimin e tensioneve në veri të Kosovës / Foto: AA

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka dënuar dhunën ndaj KFOR-it dhe përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Në një deklaratë me shkrim për mediat, Blinken u bëri thirrje të gjitha palëve të marrin masa të menjëhershme për deeskalimin e tensioneve.

"ShBA-ja dënon dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në mënyrë të panevojshme përshkallëzoi tensionet", tha Blinken.

Ai theksoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre të përkohshme nga lokacionet alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura të Serbisë dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

"Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të angazhohen menjëherë për t'iu bashkuar dialogut të udhëhequr nga BE-ja në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet", tha Blinken, njoftoi Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

AA