Drejtori i Arkivave Shtetërore të Türkiyes viziton Kosovën / Foto: AA

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), Bislim Bislimi, ka pritur në takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave Shtetërore të Türkiyes, Uğur Ünal.

Pas takimit që u mbajt në selinë e AShAK-ut në Prishtinë, drejtori i AShAK-ut Bislimi tha se Kosova dhe Türkiye ndajnë bashkëpunim historik të të dyja kombeve dhe shteteve, ndërsa tani e në vazhdim ky bashkëpunim do të bëhet edhe më konkret.

Bislimi tha se vizita e drejtorit turk është në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, derisa theksoi se Republika e Kosovës nuk u ka kushtuar deri më tani shumë rëndësi arkivave dhe duhen investime për këtë sektor i cili "është jashtëzakonisht i rëndësishëm për historinë, kulturën, shoqërinë dhe shtetin".

"Republika e Kosovës nuk qëndron mirë, do ta themi shkoqur, qartë, me pjesën e infrastrukturës fizike ku ne e ruajmë kujtesën tonë. Në këtë rrafsh ne do të kërkojmë që në bashkëpunim me Qeverinë të rriten investimet në pjesën arkivore të Republikës së Kosovës në përgjithësi", theksoi Bislimi i cili shtoi se ndërkohë gjatë realizimit të këtyre investimeve do të kërkojnë mbështetjen edhe të mbështetjen me ekspertizë të Türkiyes, e cila është mjaft e suksesshme në këtë fushë.

Në fjalën e tij, kreu i Arkivit Shtetëror Presidencial Ünal tha se arkivat osmane në Türkiye, veçanërisht, përmbajnë dokumente shumë të rëndësishme për historinë e Kosovës dhe rajonit. Ai theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë do të ndajë eksperienca të ndërsjella veçanërisht në fushën e restaurimit dhe digjitalizimit.

"Sot flasim për një thesar dokumentesh që kapin shifrën 100 milionë dhe secilin prej tyre e kemi transferuar në mjedisin digjital. Unë dhe kolegu im do të flasim për këto në detaje këtu për dy ditë do të vlerësojmë se çfarë do të bëhet në të ardhmen dhe do ta diskutojmë së bashku. Ne do të zhvillojmë aktivitete të përbashkëta dhe do të ndajmë përvoja të përbashkëta", theksoi Ünal.

Ünal shtoi se të dhënat në arkivat osmane flasin gjerësisht për të dhënat në të gjitha fushat si kultura, sociologjia, të dhënat e emigracionit si dhe marrëdhëniet politike që lidhen me këtë gjeografi.

Pas konferencës, Bislimi dhe Ünal panë nga afër punën dhe arkivat në AShAK.

AA