Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë e cila është me seli në Hagë, pritet të fillojë në mars të vitit 2023.
Në seancën përgatitore e cila u mbajt me praninë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj tyre të fillojë më 1 mars të këtij viti.
ZPS-ja tha se është gati të fillojë me procesin e gjykimit pavarësisht volumit të madh të punës, procedurave si dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen gjatë kësaj kohe para datës 1 mars.
Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson, tha se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars, megjithëse sipas tij, përpara kanë “një periudhë jashtëzakonisht intensive të punës” deri në fillimin e gjykimit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me volumin e punës për këtë rast theksoi se gjykimi mund të jetë më i gjatë sesa mendohet, derisa shtoi se mund ta tejkalojë periudhën prej pesë vitesh, sa është paraparë të zgjasë procesi gjyqësor i këtij rasti.
Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, ndërsa dëshmitarët e parë do të jenë gjithsej 12, por jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.