Brenda një viti, në Kosovë janë raportuar 2.735 raste të dhunës në familje, ose mesatarisht gati 8 raste çdo ditë. Kështu tregon raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Fondit për Zhvillim Komunitar, i cili regjistron rritje të rasteve të dhunës në familje.
Sipas GLPS-së, shumica e rasteve të dhunës ndodhin në raportin bashkëshort - bashkëshorte dhe anasjelltas.
Nga hulumtimet e tyre thuhet se për rastet e dhunës në familje prin Prishtina me 910 raste, Peja me 338 dhe Prizreni me 333 raste.
Raporti i GLPS-së tregon se Policia e Kosovës edhe këtë vit mbetet institucioni i parë më i besueshëm për raportimin e rasteve të dhunës në familje.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, tha se gjykata dhe prokuroria po i trajtojnë rastet me prioritet, teksa cilëson se dënimet ndëshkimore janë të ulëta.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se si ministri trajtimin e rasteve të dhunës në familje i kanë në prioritet, dhe shtoi se ish-Qeveritë e tjera nuk janë marrë me këtë fenomen shkatërrues për shoqërinë. Sipas saj, nuk janë rritur rastet e dhunës, por janë rritur raportimet, gjë të cilën e cilëson si vetëdijesim të qytetarëve.
“Ju e përmendët se rastet e dhëna në familje janë në rritje dhe në këtë drejtim unë mendoj që është rritur raportimi... Pra, unë konsideroj që për shkak fushatave sensibilizuese dhe punës së institucioneve është rritur raportimi, vetëm uroj që kur thërrasim për raportim viktimat të marrin shërbimin nga institucioni”, u shpreh Haxhiu.