Kosovë, opozita vazhdon bojkotin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend / Photo: AA

Për të disatën herë me radhë Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duhet të ishin të pranishëm dy e tretat apo 80 nga 120 deputetë të Kuvendit, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por ky numër nuk u arrit nga deputetët as ditën e sotme për shkak të mungesës së deputetëve nga opozita.

Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, u kërkoi deputetëve të opozitës që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare duke thënë se janë 300 milionë euro që janë bllokuar me bojkotin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë votuar që një kohë fillimisht nga tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e më pas dy të fundit ishin shprehur se do të votonin, ndërsa PDK-ja ka vazhduar ta bojkotojë votimin e tyre.

Deputetët e LDK-së, para se të fillonte trajtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në seancë, e ka lëshuar sallën. Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se deputetët e partisë së tij nuk mund të qëndrojnë në sallë kur prezentë nuk janë as të gjithë deputetët e shumicës parlamentare.

Megjithatë, deputetët e pranishëm të shumicës parlamentare po vazhdojnë me prezantimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat deri tash nuk janë prezantuar në Kuvend nga kabineti qeveritar.

Në mesin e marrëveshjeve që nuk u miratuan sot ishte edhe ajo për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze në burgjet në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme, përpos Danimarkës, një ide e njëjtë për shfrytëzimin e burgjeve në Kosovë për të transferuar të burgosur nga jashtë është ngritur edhe në Belgjikë.

AA