Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën, dënohet sulmi terrorist në veri / Foto: Arkiv

Me 97 vota pro, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën me të cilën e dënon “sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Sipas tekstit të Rezolutës, Kosova dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist; vlerëson punën e jashtëzakonshme të institucioneve të Kosovës; ofron mbështetje të plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës për ushtrimin e detyrave në tërë territorin e vendit; inkurajon dhe mbështet pluralizmin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë; kërkon nga Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë dhe konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste.

Rezoluta shprehimisht e bën përgjegjëse Serbinë për organizimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet mes të tjerash në Rezolutë.

TRT Balkan
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj