Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takoi sot përfaqësuesit e opozitës në Kosovë, lidhur me draftin për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit me Lajçakun, tha se ka marrë zotim se drafti për Asociacionin është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, nuk iu është prezantuar në tërësi drafti, por vetëm është diskutuar në terma të përgjithshëm.
Krasniqi para mediave kërkoi kujdes nga ekzekutivi, pasi siç tha "dreqi fshihet në detaje" dhe duhet siguruar që ky mekanizëm s'do të ketë pushtet ekzekutiv.
Ai u shpreh kritik ndaj Kurtit për, siç tha, mungesë të transparencës në dialog.
Ndërsa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se po mban në terr informativ partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit.
Pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, Haziri u shpreh gjithashtu se nuk e kanë parë draftin, por vetëm kanë diskutuar në terma të përgjithshëm në lidhje me atë.
Ai nënvizoi se Kosova nuk duhet të humbasë këtë momentum për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Lajçak po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë. Dje në mbrëmje, ai takoi zv/kryeministrin e pare në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimin. Pas takimit me Bislimin, Lajçak publikoi në rrjetin social X se “kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm”, lidhur me zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit.
Lajçak është takuar edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Özkan Ulutaş, dhe me ambasadorët e akredituar.
Këto takime ai i quajti produktive dhe me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialog.
“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, shkroi Lajçaku.