Nis viti i ri shkollor në Kosovë e Maqedoni të Veriut / Photo: AA Archive

Sot në gjithë Kosovën nis viti i ri shkollor 2024-2025. Derisa Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit ka njoftuar se në koordinim me komunat janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, nuk ka njoftuar për numrin e nxënësve që do të vijojnë mësimin në institucione publike e private, e as për numrin e fëmijëve që nisin mësimin në klasën e parë.

Më 14 gusht është hapur aplikimi për subvencionim me tekste dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova, e, sipas ministres Nagavci, shihet se proceduralisht këtë vit ka qenë shumë më e lehtë sepse prindërit i kanë pasur llogaritë aktive.

Deri tani dihet se kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjorë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201.120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur.

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, MAShTI ka publikuar edhe udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.

Ndërkaq, me vendim të Komunës së Prishtinës, mësimi gjithëditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën, e për të cilët është siguruar edhe shujta e ngrohtë. Megjithatë, procesi mësimor nëpër fshatrat e kësaj komune vazhdon sikur vitet e mëhershme.

Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”. Maqedonia e Veriut me 17 mijë nxënës më pak

Maqedonia e Veriut me 17 mijë nxënës më pak

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se viti i ri shkollor do të fillojë për 245 mijë nxënës në shkollat ​​fillore dhe të mesme, numër ky që në shtatë vitet e fundit është ulur për 17 mijë.

“Gjatë të njëjtës periudhë numri i nxënësve të klasës së parë është ulur me rreth 3.500 mijë. Kjo është shkatërruese dhe zhgënjyese dhe është rezultat i politikave të këqija, jo vetëm në arsim, por në të gjitha segmentet shoqërore”, tha ministrja e Arsimit dhe e Shkencës Vesna Janevska në konferencën e djeshme për media.

Ajo bëri të ditur se politikat ekzistuese do të zëvendësohen me të reja dhe progresive, në krijimin e të cilave, siç tha ajo, do të marrin pjesë të gjithë të prekurit. Që ato politika të zbatohen, shtoi ai, do të sigurohet një konsensus më i gjerë.

AA