Njësitet speciale policore të Kosovës pezullojnë protestën e paralajmëruar / Foto: AA

Njësia Speciale Intervenuese (NjSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NjTME) dhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës kanë pezulluar mbajtjen e protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të paralajmëruar për sot.

Sipas njoftimit të Policisë, vendimi për pezullimin e përkohshëm të protestës është marrë pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me NjSI-në dhe NjTME-në.

“Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i shoqëruar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës, gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do t'i presë në takim zyrtar menaxhmentin e Policisë së Kosovës së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për t'i diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në njoftim.

Njësitet elitare policore protestuan edhe më 1 nëntor me maska në fytyrë dhe me uniforma policore. Kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesat për kushte specifike të punës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha pas protestës së 1 nëntorit se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, megjithëse Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar, ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, shkroi ministri Sveçla.

AA