Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e procesit të numërimit në faqen elektronike, të cilat nuk kanë ndryshuar radhitjen e partive politike, por vetëm përqindjet e votave që kanë siguruar ato.
Nga 98,97 për qind e votave të numëruara në gjithë territorin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë partia e parë me 40,8 për qind të votave të siguruara.
Pas saj, subjekti i dytë më i madh është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22,16 për qind të votave të siguruara, ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,59 për qind.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma numërojnë 7,46 për qind.
Partia Lista Serbe ka marrë 4,42 për qind të votave, ndërsa subjekti i ri politik që garoi për herë të parë në këto zgjedhje nacionale, respektivisht Koalicioni për Familje, siguroi 2,26 për qind të votave.
Sipas KQZ-së, nga 2.297 vendvotime apo nga 90,68 për qind e vendvotimeve të përpunuara nga gjithsej 2.533, në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës kanë votuar 40,04 për qind apo 789.172 votues nga 1.970.944 sa ishin në listën me të drejtë vote.