Pa viza nga 1 janari, fushatë informuese për liberalizimin në Prishtinë / Foto: AA

Në sheshin "Skenderbeu" në Prishtinë është hapur fushata informuese për qytetarët rreth liberalizimit të vizave për zonën Schengen, regjimi i të cilave do të hiqet për shtetasit e Kosovës nga 1 janari 2024.

Në këtë fushatë u shpërndanë fletushka vetëdijesuese për qytetarët, me qëllim që të marrin informacione të nevojshme për të kuptuar plotësisht se çfarë duhet të posedojnë kur vendosin të udhëtojnë në zonën Shengen.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë i tejzgjatur dhe i tejvonuar për qytetarët e Kosovës. Ai tha se ky proces është meritë e të gjithë qytetarëve dhe se luftimi i krimit dhe korrupsionit janë nga arsyet e arritjes së heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

"Qytetarët, të gjithë ne, duhet të jemi të kujdesshëm, sepse, shkelja e rregullave edhe individualisht kur mblidhen pastaj mund të çojë në gjoba dhe ndalesë të hyrjes në zonën Schengen. Urime edhe një herë për këtë të arritur shumë të madhe për vendin tonë dhe tash e tutje, do të mund të udhëtoni lirshëm, një gjë që e kemi merituar nga hera, por që hynë në fuqi e zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm", theksoi Kurti.

Në këtë fushatë, ndër tjerash u bë e ditur se liberalizimi i vizave ka edhe rregullat e saj që duhet të respektohen, sikurse mostejkalimi i periudhës 90-ditore të qëndrimit në zonën Schengen brenda afatit prej 180 ditësh, posedimi i pasaportës valide, qëllimi i udhëtimit, mjetet e mjaftueshme financiare dhe gjithashtu që liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë pune ose studime.

"Shkeljet e rregullave të liberalizimit të vizave mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vjet!", thuhet në një nga shpjegimet e dhëna për qytetarët.

Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës - me çka edhe u përmbyllën procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Nisur nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në zonën Schengen. Kjo hapësirë e re do t'u mundësojë udhëtimin në qendra evropiane, vizita te familjarët me lehtësi, dhe shijimin e aventurave të reja turistike.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

AA