Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka prezantuar vlerën e një keoficienti për pagat në sektorin publik, i cili pritet të jetë 105 euro për vitin 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave është 105 euro për vitin 2023, ndërkaq, tha se në vitin 2024 sipas llogaritjeve të bëra vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.
Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, Kurti tha se nëpërmjet miratimit të koeficientit do të rriten pagat në sektorin publik.
Ai po ashtu tha se shumë shpejt do të miratohet në lexim të dytë Projektligji për pagën minimale.
Çështja e pagave në Kosovë vitin e kaluar më tepër u kontestua nga mësimdhënësit të cilët edhe filluan grevat. Për këtë arsye viti shkollor nisi me një muaj vonesë. Koeficienti i një mësidhënësi shkollë të mesme është 5.8, ndërsa në fillore 5.6.
Duke llogaritur me vlerën e fundit të koeficinetit të publikuar nga Qeveria i bie se një mësimdhënës në shkollë të mesme në Kosovë do të ketë pagë prej 609 euro, ndërsa ai i shkollës fillore 588 euro.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në dhjetor në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik është 745 milionë euro.