Nënkryetari i Lista Sërpskës, Millan Radojçiq, me anë të një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq, në konferencë për media, pranoi se të dielën e 24 shtatorit, ditën kur u sulmua Policia e Kosovës, ai ka qenë në Banjskë të Zveçanit.
Në letrën e tij, Radojçiq thotë se është kthyer në Kosovë për “të krijuar kushte për çlirimin e popullit të tij”.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori dhe krijimin e kushteve për realizimin e ëndrrës për liri të popullit tim në Kosovë”, thuhet mes të tjerave në letrën e Radojçiqit.
Avokati i tij tha se Radojçiqi nuk e ka informuar shtetin serb për veprimet e tij.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur rëndë dhe i uniformuar, ndërsa rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën në ato përleshje. Policia e Kosovës publikoi video pamje nga droni, për të cilat thotë se dëshmojnë praninë e nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radojçiq, në mesin e dhjetëra të armatosurve të tjerë në Banjskë.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nënkryetari i Lista Sërpskës, Millan Radojçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në parti.
“Radojçiq nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Lista Sërpskën”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për TV Espanyol.