Rreth 2/3 e popullsisë në Kosovë ose 1.173.978 janë popullsi në moshë pune, që është 56.520 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Ndërkaq, persona aktivë ishin 29.508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kurse persona joaktivë ishin 27.010 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt të vitit 2022, persona të punësuar ishin 8.789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Po ashtu, në raportin thuhet se numri i personave të papunësuar është zvogëluar për 38.298 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në vend është 11,8% në tremujorin e fundit të vitit 2022, një rritje prej 1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të atij viti, kur ishte 10,8%.
Po ashtu, sipas ASK-së, përqindja e meshkujve të punësuar ishte 4,1% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 0,3% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Shkalla e punësimit ishte 2,3% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e papunësisë ishte më e ulët për -7,2% sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për -15,6% sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.
Ndërkaq, shkalla e paaktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë (61,5 %), duke u rritur me 0,6 përqind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.
“Shkalla e paaktivitetit te femrat ishte shumë e theksuar 78,8 %, krahasuar me meshkujt, 44,2 %”, thuhet në raport.
Tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi prijnë me punësim
Sipas ASK-së, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18,7%, ndërtimtaria 12,1%, arsimi me 10,3%, administrata publike dhe mbrojtja me 9,2%, prodhimi me 8,2% etj.
“Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 55,2% të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, prodhimit, si dhe në sektorët e aktivitetit për akomodim dhe shërbim me ushqim, me 62,6%”, thuhet në raport.