S’ka marrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe veteranëve të UÇK-së

S’ka marrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe veteranëve të UÇK-së

Rritja e pagës minimale në Kosovë nuk do t’i përfshi kategoritë e dala nga lufta
Kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku     Foto: AA

Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) nuk kanë arritur ndonjë pajtim nga takimi që zgjati më shumë se dy orë me kryeminsitrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Qeverinë e Kosovës.
Veteranët, të cilët dje protestuan gjatë gjithë ditës duke shprehur pakënaqësi me shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës që miratoi në lexim të parë projektligjin që përjashton ata nga rritja e pagës minimale, thanë se do të vazhdojnë të protestojnë edhe ditëve të ardhshme kur të mbahen seancat.
Ushtruesi i detyrës kryetar i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se kërkesa e tyre në takim me kryeministrin Kurti dhe ministrin Murati ka qenë kthimi i veteranëve brenda projektligjit ku ata do të paguheshin jo më pak se paga minimale në vend, të cilën po synon ta rrisë Qeveria aktuale, por, pa veteranët brenda këtij projektligji.
"Me kryeministrin nuk u dakorduam sepse ne kërkuam që të kthehet pika 3.1 të cilën e ka ndryshuar kjo Qeveri me Kuvendin e Kosovës me të cilën është larguar beneficioni i veteranit të luftës që me ligj përcakton se nuk mund të jetë më pak se paga minimale. Ne i thamë që kërkojmë që kjo pikë të kthehet dhe në seancat që do të mbahen ne do të mbajmë protesta deri sa kjo të rregullohet", ka thënë Klinaku.
Përpos kësaj çështje ku nuk janë dakorduar, Klinaku, tha se ka marrë zotim nga kryeministri Kurti se do t’u propozojë një marrëveshje me shkrim ndërsa për këtë do të presin ditët në vijim.
Qeveria e Kosovës insiston që veteranëve t’u rritet pensioni, por, vetëm pas pastrimit të listave të tyre duke përjashtuar "veteranët e rrejshëm".
Ndërkaq, pikërisht për listat e veteranëve, Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së ka thënë se kanë diskutuar edhe me kryeministrin Kurti.
Ai tha se pastrimi i listave të veteranëve nuk është "detyrë e kryeministrit".
"Edhe nëse do të insistohet që të formohet përsëri një komision i ri për riverifikim, përsëri do të jenë të njëjti njerëz dhe askush nuk i frikësohet kësaj, sepse janë dy organe kompetente që e bëjnë. Janë komandantët me zinxhirin komandues që pa ta nuk bëhet verifikimi dhe është gjykata që duhet të verifikojë a ka pasur apo jo shkelje", theksoi Jashari.
Dje gjatë seancës, nga partia më e madhe opozitare në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se "s’do ketë normalitet në Kuvend derisa të trajtohen veteranët".
Një veteran i luftës aktualisht paguhet 170 euro. Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paga minimale do të jetë 264 euro, ndërsa aktualisht është 130 dhe 170 euro.

AA