Qyteti i Shkupit disponon me infrastrukturë të gjerë për biçikleta.     Foto: TRT Balkan

Biçikleta siç dihet është mjeti më ekologjik i transportit, i cili nuk shkakton ndotje të ajrit dhe gjithashtu është mjeti më i lirë i transportit. Megjithatë, çiklizmi nuk është mënyrë e popullarizuar transporti në shumicën e kryeqyteteve të Ballkanit, por në Shkup është shumë i përshtatshëm për shkak të zonës së rrafshët gjeografikisht. Meqenëse qyteti është i sheshtë, përfitimi i të qenit ngasës biçiklete në Shkup është qasja e lehtë në të gjitha pikat e qytetit duke shmangur bllokimet e rregullta të trafikut.
Në vitet e fundit, biçikleta ka fituar popullaritet si mjet transporti për njerëzit në Shkup, qyteti ka ndërtuar më shumë korsi për biçikleta që nga vitet 2010 e tutje dhe pandemia gjithashtu ka kontribuar në këtë proces.
Goran Bogoevski, presidenti i Ngasësve të Biçikletave i Maqedonisë së Veriut për TRT thotë se ndërtimi i një sistemi transporti mbizotërues të biçikletës në qytetin e Shkupit është vizioni afatgjatë që do të reduktojë ndjeshëm bllokimet e trafikut, ndotjen dhe aksidentet.
Sipas një studimi nga Forumi Oliver Wyman dhe Instituti i Studimeve të Transportit në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tregu i përgjithshëm i ndarjes së biçikletave në botë pritet të rritet për 10 për qind në vit dhe të arrijë në 15 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Biçikletat kanë qenë prej kohësh të popullarizuara në Evropë, ku çiklizmi po lulëzon pas pandemisë COVID. Për më tepër, sipas të dhënave të fundit të OBSh-së, shitjet e biçikletave kanë përjetuar një bum pothuajse kudo: në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës së Veriut shitjet nga viti në vit u rritën për plus 677 për qind.
Emetime zero gaz serrë deri në vitin 2030

Bogoevski thotë se përmirësim i konsiderueshëm dhe rritje e konsiderueshme e çiklistëve po shënohet gjatë shpërthimit të Covid-19 në Shkup. "Transformimi është ende i pranishëm për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimit të karburantit pas luftës Rusi-Ukrainë", shprehet ai.
Shkupi kohët e fundit po përpiqet të bëhet më elastik ndaj ndryshimeve klimatike dhe kërcënimeve mjedisore për shkak të faktit se qyteti ka filluar një projekt të quajtur “Shkupi elastik – Strategjia e ndryshimeve klimatike (Resilient Skopje)” (ose “Strategjia elastike e Shkupit (RSS)” për të arritur emetime me zero gaz serrë deri në vitin 2030. Sipas kësaj strategjie, Shkupi ka përforcuar trafikun e biçikletave dhe ka zbatuar projektin “Shkupi, qytet i biçikletave” i cili përfshin rindërtimin e rrugëve ekzistuese të biçikletave dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Sistemi i marrjes me qira të biçikletës u krijua në 2010 me katër stacione biçikletash, i cili fatkeqësisht nuk është në funksion. Por, ekzistojnë plane të tjera për të shtuar. Çiklizmi, transporti kryesor në Shkup
BE-ja synon të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050. Ky objektiv është në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe në përputhje me angazhimin e BE-së për veprimin global të klimës sipas Marrëveshjes së Parisit. Me këtë qëllim, BE-ja mbështet mënyra dhe opsione transporti të favorshme me mjedisin në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh se Ballkani Perëndimor është një nga rajonet në Evropë më të prekura nga ndikimi i ndryshimeve klimatike nga Agjenda e saj e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Bogoevskit, çiklizmi mund të jetë mënyra kryesore e transportit të qytetit. "Kjo është plotësisht në përputhje me strategjinë e zhvillimit me zero karbon të BE-së dhe angazhimin e qeverisë për përmbushjen e objektivave të BE-së deri në vitin 2050. Kjo është gjithashtu në përputhje me angazhimin e qytetit për emetimin e gazit serrë dhe konfirmohet nga strategjia e qytetit për ndryshimet klimatike "Shkupi elastik”, thotë Bogoevski.
Projekti “Shkupi elastik” përfshin prokurimin e automjeteve për qytetin e Shkupit në përputhje me kriteret për prokurime publike “të gjelbra”, rritje të përdorimit të biçikletave, ecje dhe ditë pa vetura. Sipas zyrtarëve qeveritarë, këto lloj masash do të zvogëlojnë emetimet e CO2 në të ardhmen e afërt në Shkup, i cili është një nga qytetet më të ndotura në Ballkan.
Infrastruktura e çiklizmit, siç shprehet Bogoevski, është përmirësuar dukshëm gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, duhet theksuar se të gjitha investimet janë bërë nga Qyteti i Shkupit, i cili është përgjegjës për bulevardet kryesore.
Kjo strategji e projektit ‘Shkupi elastik’ përbëhet nga komponentë siç janë komunat në territorin e qytetit të Shkupit të cilat janë të nevojshme për veprim të përbashkët. Qyteti i Shkupit përbëhet nga 10 komuna: Aerodrom, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Qendër, Çair dhe Shuto Orizari. Disa nga këto komuna ende nuk kanë shtigje të favorshme për biçikleta ose nuk kanë lidhje adekuate me rrugët kryesore të biçikletave tashmë të ndërtuara.
Sipas Bogoevskit, nuk ka investime të mjaftueshme nga të 10 komunat pjesëmarrëse që janë përgjegjëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të vogla (lidhëse). Ka investime jashtëzakonisht të kufizuara në zhvillimin e infrastrukturës së re të bazuar në çiklizëm.
Përkundër të gjitha mangësive, gjatë viteve të kaluara, infrastruktura e çiklizmit në Shkup është duke u përmirësuar vazhdimisht. Qyteti i Shkupit, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, ka arritur të ndërtojë mesatarisht më shumë se 10 kilometra shtigje të reja për biçikleta në vit. Në vitin 2021, Shkupi tejkaloi gjatësinë prej 100 kilometrash të shtigjeve për biçikleta në territorin e tij, gjë që është një zhvillim shumë pozitiv në krahasim me qytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Numri i çiklistëve në rritje
Ndonëse ende është e vështirë të gjenden të dhëna, në përgjithësi, numri i çiklistëve në Shkup është vazhdimisht në rritje. Sipas grupit të popullarizuar informal të adhuruesve të biçikletës, ‘NaTochak’, numri i njerëzve që ecnin u rrit me 22.47 për qind dhe numri i njerëzve që ngasin biçikleta si mjet transporti u rrit për 20.88 për qind gjatë pandemisë. Nëpërmjet një sondazhi në internet, grupi pyeti 1.615 pjesëmarrës në trafikun e qytetit se si lëviznin nëpër Shkup para dhe gjatë krizës së Koronës.
Sipas publikimit të OBSh-së në qershor 2022, kur bëhet fjalë për çiklizmin, përdorimi i shtuar i biçikletave mund të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazrave serrë dhe të përmirësojë cilësinë e ajrit. Për shembull, njerëzit që udhëtonin me biçikletë çdo ditë kanë 84 për qind më pak emetime karboni nga i gjithë udhëtimi i tyre ditor sesa ata që nuk e bënin. OBSh-ja thotë gjithashtu se personi mesatar që kalon nga përdorimi i një makine në një biçikletë, vetëm për një ditë në javë, zvogëlon gjurmën e karbonit me 3.2 kg dioksid karboni. Kjo është e barabartë me emetimet nga drejtimi i një makine për 10 km.
Bogoevski thotë se “Mësimet e nxjerra dhe praktikat e mira nga vendet e BE-së për çiklizëm janë në dispozicion. Ajo që na nevojitet është investim i menjëhershëm dhe masiv nga qyteti i Shkupit, qeveria dhe komunat jo vetëm në infrastrukturë, por në ndërtimin e një sistemi të përgjithshëm për transformimin e skemës së transportit aktualisht të paqëndrueshëm".

TRT Balkan