Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot në konferencën hapëse të “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023” se “janë pjekur kushtet të nisim një proces me kaq rëndësi e ta bëjmë sipas standardeve europiane”.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se “duhet trokitur derë më derë për të mbledhur sipas planit të INSTAT-it në 6 javë të gjitha të dhënat, të cilat janë një nevojë absolute për shumë arsye”.
“Pikë së pari për të identifikuar realisht, konkretisht sa shqiptarë, sa qytetarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme”, tha Rama.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë nënvizoi dy faktorë si garanci të rëndësishme për proces të suksesshëm, përkrahjen ndërkombëtare dhe teknologjinë.
“Faktori i parë janë partnerët, kemi partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, suedezë të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë, për eksperiencën e tyre në të qenit të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e vetë BE-së me një fond të konsiderueshëm ku 55 % janë nga qeveria shqiptare, kurse pjesa tjetër nga këta partnerë”, deklaroi Rama.
Ai tha se teknologjia që do të përdoret garanton integritetin e shifrave në kohë reale.
“Faktori tjetër është teknologjia e lartë, e cila na jep një ndihmë shumë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitet më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale. INSTAT-i ka një eksperiencë të padyshimtë institucionale dhe vijueshmëri profesionale që është garanci në këtë proces”, tha Rama.
Puna në terren për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri do të fillojë në 18 shtator dhe do të vazhdojë për gjashtë javë.