Kafeneja e parë e hapur në vitin 1882 me emrin "Abo Qahwachi" në kalanë historike të qytetit Erbil në Irak dhe cila ka ofruar shërbim deri në vitin 1983, është rihapur dhe vendosur sërish në shërbim.
Ali Qahwachi, nipi i Abo Qahwachi i njohur si kafebërësi i parë i Erbilit, ka hapur sërish në Çarshinë Kayseri në qendër të qytetit kafenenë rreth njëshekullore e gjysmë të trashëguar nga gjyshi i tij.
Kafeneja krahas qilimave shumëngjyrësh të varur në muret me qerpiç, fotografive të vjetra të Erbilit dhe fotografive që tregojnë kafenenë e Abo Qahwachi tërheq vëmendjen edhe me dekorimin e saj të brendshëm.
Duke theksuar se dëshiron të mbajë gjallë kujtimin e gjyshit të tij, Ali Qahwachi tregoi për Anadolu Agency historinë e kafenesë së parë të qytetit.
Personalitete të larta në kafenenë "Abo Qahwachi"
Kafeneja Abo Qahwachi u hap për herë të parë si kafene në Kalanë e Erbilit, tha Qahwachi, i cili rikujtoi se më pas ajo u transferua në një park në qendër të qytetit ku njerëzit kalonin kohë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
"Mua më është transmetuar se në atë periudhë kafenenë e vizitonin njerëz nga Erbili dhe përreth tij dhe se përveç qytetarëve vizitohej edhe nga personalitete të nivelit të lartë që vinin e bisedonin çështje të ndryshme", theksoi ai.
Mam Halil ka punuar në kafenë e Kalasë së Erbilit
Kafeneja ka shërbyer deri në vitin 1983 rikujtoi Qahwachi, i cili shtoi se punonjësit këtu e lanë punën për shkak të arsimit dhe se kafeneja është mbyllur për këtë arsye.
"Në atë periudhë kafeja vinte nga Brazili dhe Jemeni. Varietetet e kafesë me kokrra më pas bluheshin nëpër shtëpi dhe u shërbehej mysafirëve me filxhan në mëngjes. Një prej personave që ka punuar me gjyshin tim është edhe Mam Halil, pronari i çajtores së famshme ‘Mam Halil‘ në qytet. Më pas Mam Halil ka hapur kafenenë e tij", tha Qahwachi.
Sërish hapet pas 39 vitesh në Çarshinë historike Kayseri
Qahwachi ka theksuar se kafenenë e mbyllur prej 39 vitesh të trashëguar nga gjyshi i tij e ka hapur sërish në Çarshinë historike Kayseri.
"Aktualisht ka 20 varietete të kafesë, kryesisht sade, osmani, pistak dhe ne e blejmë kafenë tonë nga vende si Brazili dhe Uganda. Po ashtu në kafenenë tonë bluhet edhe kafe që vjen nga Istanbuli. Ndërsa lloji më i preferuar është ajo sade", tha Qahwachi.
Ndërsa 72-vjeçari Mam Neshet Abduk Bave, një prej klientëve të rregullt të mëparshëm të kafenesë Abo Qahwachi para mbylljes së saj, është shprehur se "Kafeneja ishte një vend i bukur. Përveç kafesë dhe çajit kishte tavolinë pingpongu. Vizitohej edhe nga njerëz intelektualë".
Bave u shpreh se është i kënaqur nga rihapja e kafenesë dhe shtoi se ka vërejtur që njerëzit janë të kënaqur nga shërbimi.