Masakra e Al Halilit: Tri dekada më vonë, gjakderdhja izraelite vazhdon    / Foto: AFP Archive

25 shkurti shënon 30-vjetorin e masakrës së Al Halilit, e njohur edhe si masakra e Xhamisë Ibrahimi, e kryer nga kolonët ekstremistë izraelitë, në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Xhamia ndodhet në qytetin jugor të Bregut Perëndimor të Hebronit.

Për myslimanët, rëndësia e xhamisë është e thellë, pasi ata e konsiderojnë të shenjtë, duke besuar se ajo është ndërtuar mbi varrin e Profetit Ibrahim.

Palestinezët që banonin aty pranë mblidheshin brenda xhamisë dhe falnin namazin pesë herë në ditë së bashku me familjet, miqtë dhe të dashurit e tyre.

Si u zhvillua masakra?

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, qindra palestinezë u mblodhën për lutjet e sabahut brenda kompleksit të xhamisë në mëngjesin e hershëm të 25 shkurtit 1994. Ndërsa besimtarët bënin sexhde në lutje, një terrorist sionist i quajtur Benjamin Goldstein hyri në xhami dhe hapi zjarr mbi ta.

Goldstein, një kolon 42-vjeçar, vrau me gjakftohtësi 29 palestinezë dhe plagosi rreth 150.

Goldstein ishte një shtetas amerikan, i lindur dhe rritur në Brooklyn, Nju Jork. Ai emigroi në Lindjen e Mesme në vitin 1983 dhe jetoi në vendbanimin e paligjshëm Kiryat Arba, një vend që fillimisht u përkiste palestinezëve, të cilët u zhvendosën me forcë nga forcat izraelite.

Si një kolon hebre, duke pushtuar tokat dhe pronat palestineze, Goldstein përqafoi një emër të ri, Baruch Goldstein. Goldstein ishte një ndjekës i verbër i një rabini ortodoks amerikan Meir Kahane, i cili njihet për ideologjinë e tij të tërbuar ultra-nacionaliste dhe për themelimin e partisë raciste Kach në 1971.

Kahane mbrojti dëbimin me forcë të palestinezëve nga Izraeli dhe territoret e pushtuara palestineze.

Pas sulmit brutal të Goldstein në xhami, më shumë se 60 për qind e sipërfaqes totale të xhamisë u shndërrua në një sinagogë hebreje, e rrethuar nga barriera metalike dhe kazerma ushtarake. Ky pushtim ende ndikon në lëvizjen e përditshme të palestinezëve.

Zgjerimi i okupimit pas masakrës së Al Halilit

Sipas agjencisë së lajmeve WAFA, ushtarët izraelitë mundësuan masakrën duke mbyllur portat e xhamisë, për të penguar besimtarët e shqetësuar që të vrapojnë për siguri. Forcat pushtuese i ndaluan njerëzit edhe nga jashtë, në mënyrë që të mos arrinte ndihma.

Shumë palestinezë besojnë se sulmi ishte planifikuar nga një grup kolonësh hebrenj me ndihmën indirekte të ushtrisë izraelite. Megjithatë, qeveria izraelite pretendoi se Goldstein veproi vetëm dhe ishte me aftësi të kufizuara psikologjike.

Kamal Abdin, një i mbijetuar i masakrës së Al Halilit, tha për TRT World se ishte një mëngjes i pazakontë sepse ushtria izraelite i lejoi besimtarët të kalonin nëpër rrugët që të çojnë në xhami, pa asnjë kontrollë apo pyetje – diçka që në çdo ditë tjetër të caktuar, ishte normë.

“Dhe ne hymë brenda dhe u ngjitëm për t'u lutur. U habitëm kur ushtarët ndanë gratë nga ne (burrat). Kjo ishte prova që ata e planifikuan këtë (masakër),” tha Abdin.

Teksa Goldstein hapi zjarrin, Abdinit iu kujtua se kishte dëgjuar disa të shtëna armësh që shkaktuan trazirë brenda xhamisë. Ndërsa Abdin u kthye majtas, ai pa terroristin e armatosur, i cili e shikonte ndërkohë që e kishte vënë në shënjestër. Abdini u qëllua në qafë. Ai u zgjua nga koma pas gjashtë muajsh dhe nuk i ndjente këmbët. Ai e pyeti mjekun pse nuk mund të lëvizte.

Mjeku, siç e kujton ai, i tha: “Kamal, po flasim si burrë me burrë. Palca jote kurrizore është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme. Ti do ta kalosh pjesën tjetër të jetës në një karrocë”.

Abdin tha se Goldstein u përball me një nga besimtarët, i quajtur Nemar Mujahid, i cili e rrahu terroristin për vdekje. Një tjetër provë që tregon për përfshirjen izraelite në masakër, është se forcat izraelite qëlluan për vdekje Nemarin, në atë që dukej të ishte hakmarrje për vdekjen e Goldstein.

Megjithatë, vrasjet nuk u ndalën me kaq. Ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj palestinezëve që merrnin pjesë në funeralet e të vdekurve, duke vrarë 21 persona të tjerë. Me përshkallëzimin e tensionit në territoret e pushtuara, ushtarët hapën përsëri zjarr ndaj protestuesve të nesërmen, duke vrarë dhjetë të tjerë dhe duke plagosur qindra të tjerë.

Pas masakrës, forcat pushtuese mbyllën Xhaminë Ibrahimi dhe qytetin e vjetër të Hebronit për plot gjashtë muaj për të “hetuar” krimin.

Megjithatë, Komisioni Shamgar, i cili udhëhoqi hetimin e masakrës dhe shkaqeve të saj, dha disa rekomandime, që ishin të gjitha kundër palestinezëve dhe viktimave të sulmit, por në mbështetje të kolonëve.

Rekomandimet përfshinin ndarjen e xhamisë Ibrahimi midis muslimanëve dhe hebrenjve, rritjen e sigurisë rreth xhamisë, dorëzimin e kontrollit të plotë të zonës tek autoritetet pushtuese dhe shndërrimin e saj në një vend hebre, plus kufizimin e lutjeve myslimane gjatë gjithë vitit, ndërsa hapej ekskluzivisht për kolonët hebrenjë.

Sipas WAFA-s, autoritetet pushtuese instaluan kamera dhe porta elektronike në çdo hyrje të xhamisë. Vetëm një portë me një pikë kontrolli ushtarak ishte caktuar për besimtarët myslimanë, ndërsa portat e tjera u hapën për hebrenjtë.

Forcat pushtuese mbyllën gjithashtu edhe tregjet edhe rrugët popullore.

Këto masa efektivisht izoluan qytetin e vjetër nga rrethinat e tij, gjë që vazhdon edhe sot dhe është bërë edhe më e rëndë.

Ndikimi në jetën e mijëra palestinezëve që banojnë në atë zonë është ende i dukshëm për këdo që e viziton.

TRT World