Pezullohet ministrja e Jashtme e Libisë pasi takoi kryediplomatin izraelit / Foto: AA

Kryeministri i Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, pezulloi ministren e Jashtme, Najla al-Mangoush, për shkak të takimit të saj me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Eli Cohen.

Në një dekret të njoftuar nga qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë, thuhet se "është vendosur të pezullohet ministrja e Jashtme Najla al-Mangoush dhe që do të nisë një hetim kundër saj".

Në dekret vihet në dukje se hetimi lidhur me Al-Mangoush do të kryhet nga një komision që do të krijohet në Ministrinë e Drejtësisë të Libisë.

Al-Mangoush u takua në Itali me ministrin e Jashtëm izraelit

Në një deklaratë të bërë dje nga Ministria e Jashtme e Izraelit u njoftua se "mes ministrave të Jashtëm të Izraelit dhe Libisë u mbajt një takim historik". Ministria njoftoi se takimi i ministres Al-Mangoush me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen në Romë nuk ishte takim zyrtar.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se takimi synon "të shqyrtojë mundësitë e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve".

"Ministrat në takim diskutuan për lidhjet historike mes dy vendeve, trashëgiminë e hebrenjve libianë, mundësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve, ndihmën që mund të ofrojë Izraeli në çështjet humanitare, bujqësi, menaxhimin e ujit si dhe në shumë çështje të tjera", thuhet në deklaratën ku tërhiqet vëmendja se ky ishte "takimi i parë" mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

Në deklaratë konfirmohet se ministrja Najla al-Mangoush ka refuzuar të zhvillojë ndonjë takim me çdo grup që përfaqëson ekzistencën e Izraelit dhe se ajo është e vendosur në përputhje me qasjen e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë.

Libia nuk e njeh Izraelin

Vendi afrikan, Libia, nuk e njeh Izraelin dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me Tel Avivin.

Në pasaportën e Libisë ndodhet shënimi "Mund të shkojë në të gjitha vendet përveç territoreve të pushtuara palestineze (Izrael). Po ashtu, krijimi i marrëdhënieve me Izraelin është i ndaluar me ligj.

Pas njoftimit të takimit të Al-Mangoush me kryediplomatin izraelit, në rajonin Tacura në lindje të kryeqytetit Tripoli dhe në qytetet Zawiya dhe Bani Walid u mbajtën protesta, ku mes të tjerash u dogj edhe flamuri izraelit.

AA